Tahiri: Skandal, Qeveria Kurti e promovoi Kosovën si tokë ku lindën manastiret ortodokse serbe.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka sponzorizuar një artikull në një revistë franceze ku thotë që Kosova është vend ku lindër manastiret ortodokse serbe.
Ai tha se për këtë fillimisht u informua nga një mërgimtar në Francë.
“Dje kam pranuar një telefonatë nga një bashkatdhetar i ynë në Francë ku më thotë se si është e mundur që Qeveria e Kosovës ta promovojë Kosovën si vend ku lindën manastiret madhështore ortodokse serbe. Për mua ishte shumë e çuditshme. I thashë nëse e ka ngatërruar me Qeverinë e Serbisë, sepse nuk besoj qe Qeveria e Kosovës e promovon Kosovën si një vend ku lindën manastiret madhështore ortodokse serbe”.
Tahiri tha se ky artikull u sponzorizua nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në revistën franceze “Petit Fute”.
“Në mes të tjerash, artikulli thotë: “Ajo gjithashtu ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret e saj madhështore ortodokse serbe”. Kolegë, kjo është një doktrinë e shtetit serb. Një promovim i artikullit të tillë nga Qeveria e Kosovës, unë s’e di çka ka me thënë më tutje Vuçiqi, ose Jeremiqi, ose Tadiqi. A e shihni se çfarë argumente u jepni ju kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës që ta ngritin nesër në Këshill të Sigurimit? Një artikull i tillë sponzorizohet nga buxheti i taksapaguesve kosovarë”.
Tahiri tha se kjo është skandaloze dhe duhet të japë dorëheqje ministrja.
Këto janë fotografitë e artikullit që Tahiri ua dha deputetëve: