Tema mbi Luginën e Preshevës po diskutohet në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti i LDK’së, Arban Abrashi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për gjendjen në Luginën e Preshevës, Medvegj e Bujanovc, në emër të partisë, ka thënë se janë disa masa konkrete që duhet të marrë Kosova, derisa kundërshtoi idenë për shkëmbim me territore, të mbështetur edhe nga nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, raporton Gazeta Express
Abrashi tha se Qeveria e Kosovës duhet të ketë plan konkret për përmirësimin e jetës së tyre dhe gjetjes së një zgjidhje për situatën e rëndë.
“Javë më parë bashkë me deputetë të tjerë vizituam Tërnovcin, Medvegjën, Preshevën, ndaluam edhe në Vranjë, që të informohemi nga dora e parë për gjendjen atje dhe pamë një gjendje të zbehtë. Ne duhet të reagojmë, senzibilizojmë dhe të gjejmë bashkë zgjidhje për ta. Është vështirë të flasësh për ta sepse po flasim për një hap të pashpresë. Ata kanë mungesë të theksuar në sistemin arsimor, mirëqenien e tyre dhe presion të vazhdueshëm për largim të tyre. Aty u njoftuam me situatën dhe gjendjen e rëndë në arsim dhe vështirësitë me furnizim të teksteve mësimore. Ka mungesa në kabinete dhe gjendje jo e mirë e infrastrukturës në këto shkolla”, deklaroi deputeti.
Abrashi tha se shkollat janë në rrezik të mbylljes dhe se nuk kanë të drejtë të arsimohen në gjuhën amtare dhe as të përdorin simbole e tyre kombëtare.
“Diskriminimi sistematik në çdo sferë rrezikon ndryshimin e përbërjes etnike të popullsisë. Nuk kanë mundur të ushtrojnë të drejtat e tyre për të zgjedhur dhe për të qenë të zgjedhur. Marrëveshjet e arritura dhe të zotuara për impelemetim mbesin vetëm në letra. Duhet të nisim hapat e para për të përmbysur këtë situatë për të kthyer shpresën dhe përkrahje, por edhe për të reaguar me masa konkrete dhe afatgjata. Duhet ta fillojmë në Kuvend duke përkrahur nga ekzekutivi duke hartuar plane konkrete dhe mekanizma konkretë për realizmin e tyre në funksion të përmirësimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar”, shtoi tutje.
Abrashi bëri thirrje që Qeveria të bëjë plane afatgjate dhe afatmesme që shqiptarët në Serbi të kenë të drejta kushtetuese siç kanë serbët në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet deri te Akademia duhet të mobilizohen për një hartim të planit afatshkurtër dhe afatmesëm. Shqiptarët atje s’guxojnë të jenë monedhë kusuritëse për asnjë politikanët populistë serbë, as atyre kosovarë as atyre në Shqipëri dhe as nga politikanët ndërkombëtarë. Në kuadër të bisedimeve me Serbinë ne duhet t’i ofrojmë SHBA-së dhe BE-së dhe Beogradit garën e hapur të mendësisë evropiane dhe për diskriminim të njëjtë pozitiv ekuivalent, aq sa kanë të drejta kushtetuese minoritetet në Kosovë , aq duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi”, tha tutje, duke bërë të ditur se LDK do të mbështesë çfarëdo projekt, rezolutë apo ndarje të fondeve nga institucionet e Kosovës.