
AC Milani raportohet se do të tentojë të transferojë sulmuesin e Arsenalit, Gabriel Jesus, për sezonin e ardhshëm, pasi e ka provuar disa herë ta nënshkruajë edhe në të kaluarën.
Nuk është sekret se “Rossonerët” kanë nevojë urgjente për një qendërsulmues të ri, pasi Santiago Gimenez dhe Niclas Fullkrug shpesh mbeten në stol, ndërsa Rafael Leao shtyhet në një rol që nuk i përshtatet.
Max Allegri zhvilloi sonte një takim tre-orësh me drejtuesit e Milanit për të diskutuar strategjinë e merkatos për sezonin e ardhshëm dhe kjo përfshin edhe gjetjen e një “vrasësi” para portës.
Sipas ekspertit të merkatos së “Sky Sport Italia”, Gianluca Di Marzio, emri më i fundit në listën e Milanit është Gabriel Jesus.

Nuk është hera e parë që braziliani lidhet me “Rossonerët”, pasi ka qenë objektiv edhe verën e kaluar dhe sërish në janar.
29-vjeçari ka kontratë me Arsenalin vetëm deri në qershor të vitit 2027, ndaj – duke pasur parasysh se është blerë për 52 milionë euro nga Manchester City në vitin 2022 – kjo konsiderohet mundësia e fundit për londinezët që ta shesin.
Gabriel Jesus zhvilloi vetëm 25 paraqitje zyrtare këtë sezon, duke shënuar pesë gola dhe dhënë dy asistime.
Në mënyrë interesante, dy prej atyre golave i shënoi në Ligën e Kampionëve ndaj rivalëve të përbetuar të Milanit, Interit.
Ai pati një mungesë të gjatë pasi pësoi këputje të ligamentit kryesor të gjurit (ACL) në janar 2025, dëmtim që e mbajti jashtë fushave për pjesën më të madhe të një viti.