Acari dhe bora “pushton” Evropën

19:03 | 16 November 2019

Janë ulur temperaturat në Evropë.

Bora, akulli dhe shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për dhjetëra e mijëra shtëpi në Francën juglindore.

Autoritetet i kanë kërkuar njerëzve të qëndrojnë larg rrugëve pasi një shofer humbi jetën si pasojë e një peme që u shkul me rrënjë nga era e fortë. Janë rreth 300 mijë vetë që kanë mbetur pa energji elektrike, në disa qytete. Trafiku hekurudhor është përballur me vështirësi po ashtu. Makinat dhe kamionët kanë mbetur të bllokuar në borë dhe shumë rrugë u mbyllën në rajon. Deri në 20 cm borë u regjistruan në lartësi të ulëta nga niveli i detit dhe mbi 30 cm mbi 300 metra.

Shërbimi i motit i BBC ka paralajmëruar ndërkohë për kushte akoma më të vështira të motit në Evropën që tashmë është përballur me reshjet e para të borës por edhe me përmbytjet, në Venecia.

Temperaturat sipas këtij shërbimi do të jenë të ulëta dhe reshjet do të jenë të pranishme gjatë gjithë javës së ardhshme. E gjithë zona qendrore e Mesdheut, do të jetë më e rrezikuar, nga temperaturat e ulëta, reshjet e borës në rajonet alpine dhe përmbytjet në zonat më të ulëta. Madje nuk përjashtohet edhe mundësia e tornadove në Mesdhe, gjatë fundjavës. E gjithë kjo, në kuadër të një vorbulle polare që është krijuar mbi rajon.

Komento: