Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden është e shqetësuar se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mund të bëhet vatër e COVID-19.
Kjo mund të ndodhë nëse udhëheqësit botërorë që vijnë në Nju Jork nuk i ndjekin rregullat për vaksinimin.
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield i tha CBS News se administrata është “e shqetësuar për një ngjarje në OKB që mund të bëhet vatër e nxehtë dhe se të gjitha masat duhet të merren për të parandaluar që takimi i udhëheqësve botërorë të bëhet një vend për përhapjen të COVID-19”.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur pandemia detyroi që ngjarja më e madhe vjetore në OKB të ishte virtuale, këtë herë udhëheqësit politikë mund të dërgojnë video-mesazhe, dhe po ashtu mund të vijnë personalisht në Nju Jork për një sesion.
Më shumë se 100 presidentë, kryeministra dhe politikanë të tjerë kanë njoftuar se do të flasin drejtpërdrejt në seancë dhe debati i përgjithshëm do të mbahet nga 21 deri më 27 shtator.
Biden do të flasë në Nju Jork më 21 shtator dhe do të shoqërohet nga një numër pak më i vogël i përfaqësuesve të Shtëpisë së Bardhë se zakonisht.
Më herët, autoritetet e Nju Jorkut i kërkuan në një letër presidentit të Asamblesë së Përgjithshme, Abdullah Shahid, që të gjithë ata që vijnë në selinë e OKB -së duhet të tregojnë prova të vaksinimit kundër virusit korona.