Admirali i Marinës së SHBA-së, James Foggo, u takua sot me ministrin e Mbrojtjes Rrustem Berisha dhe kreun e FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, me të cilët ka diskutuar për gjendjen e sigurisë në Kosovë, në kontekstin e misionit të KFOR-it për të siguruar një mjedis të qetë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët.
Gjatë vizitës, Foggo diskutoi çështjen e planit të Kosovës për tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ai me këtë rast përsëriti pritshmërinë e tij që tranzicioni i FSK-së të jetë një përpjekje progresive, transparente dhe gjithëpërfshirëse si dhe e koordinuar ngushtë me NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare.
Admirali Foggo udhëheq Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, Napoli, e cila mbikëqyr KFOR-in.
NATO mbetet e angazhuar përmes KFOR-it për një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë dhe stabilitet në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor, thuhet në komunikatën për media të KFOR-it.