Admirali Munsch: Gjendja e sigurisë në Kosovë e brishtë, shqetësim retorika nxitëse politike

18:38 | 12 October 2024
admirali-munsch:-gjendja-e-sigurise-ne-kosove-e-brishte,-shqetesim-retorika-nxitese-politike

Komandanti i marinës amerikane për Evropën dhe Afrikën dhe komandant i forcave të NATO-s në bazën e Napolit, admirali amerikan, Stuart B. Munsch tha se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme, por e brishtë, duke theksuar se shqetësimi kryesor aktualisht është retorika nxitëse politike “që mund të frymëzojë palët e pakënaqura të ndërmarrin veprime të dhunshme”.

“Ne shtuam numrin e forcave dhe gjithashtu të armëve dhe pajisjeve që ata i sollën me vete për të parandaluar raste të tjera dhune. Viti 2023 ishte viti më i dhunshëm në Kosovë në dy dekadat e fundit, bashkë me sulmin ndaj forcave të KFOR-it në muajin maj dhe pastaj me sulmin tjetër në shtator, gjatë të cilit u zbulua një sasi e madhe armësh. Shtuam numrin e forcave, në mënyrë që KFOR-i të jetë në gjendje të mbrohet dhe po ashtu të jemi të gatshëm të ndërhyjmë në raste të një lufte mes dy shteteve.

Aktualisht shqetësimi kryesor është retorika nxitëse politike në këtë periudhë, që mund të nxisë qoftë aktorë individualë apo aktorë joshtetërorë të ndërmarrin veprime të dhunshme, për të shfaqur pakënaqësitë e tyre”, ka thënë Munsch.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Admirali Munsch flet edhe për përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar rajonin, si dhe për planet e NATO-s për të krijuar qëndrueshmëri, përmes një korridori të ri të aleancës, që kalon nga porti i Durrësit, nëpër Maqedoninë e Veriut, në Bullgari, deri në Detin e Zi, i cili, sipas tij, do t’i mundësojë aleancës të përforcohet dhe veprojë me shpejtësi.

“Historikisht, Rusia synon të krijojë paqëndrueshmëri në vendet përreth, duke menduar se kështu është më e sigurtë. Kryesisht ajo vë në shënjestër vendet e vogla për të krijuar paqëndrueshmëri, pasi ato kanë më pak burime për t’iu kundërvënë aktiviteve ruse. Aktivitetetet ruse janë majft të përhapura në sferën kibernetike, por edhe në atë fizike. Kështu që vendet po punojnë së bashku për t’iu kundërvënë asaj që po bëjnë rusët. Kryesisht veprimet e tyre manifestohen në keqinformime, që i përhapin për të shfrytëzuar çdo dallim që ekziston, në përpjekje për të krijuar përshtypjen se dallimet janë shumë më të mëdha se sa janë në të vërtetë”, tha admirali i NATO-s.

Komento: