Admirali i Marinës së SHBA-së, James Gordon Foggo III është pritur sot nga presidenti Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka zhvilluar takim me Admiralin e Marinës së SHBA-së, James Gordon Foggo III, i cili shërben si Komandant i Forcave të Marinës së SHBA-së për Evropë.
Kreu i shtetit i ka thënë admiralit amerikan se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.
“Po punojmë që të krijohen kushtet për të vazhduar dialogu, si mënyrë e vetme për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm. U jemi mirënjohës për përkushtimin tuaj në ruajtjen e paqes në Kosovë dhe rajon”, u shpreh Thaçi.
Siç bëhet e ditur edhe përmes komunikatës për media nga presidenca, Thaçi dhe admirali James Foggo kanë folur edhe për tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili është proces i koordinuar me KFOR-in dhe NATO-n.
Në anën tjetër, admirali i marinës së SHBA-së, James Gordon Foggo III, theksoi se dialogu është rruga e vetme që çon përpara.
“KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë paqe e siguri”, ka thënë ai.
Thaçi, tutje ka thënë se viti 2019 është shpallur vit i NATO-s në Kosovë për të kujtuar dhe nderuar përkushtimin dhe sakrificën e ushtarëve të shteteve të NATO-s për Kosovën.