Adnan Januzaj frymëzim për yllin e ri të Juventusit

11:35 | 28 May 2020

Ylli i ri i Juventusit frymëzohet nga Adnan Januzaj për përzgjedhjen e numrit të fanellës.

Mesfushori i Juventusit i huazuar në Parma, Dejan Kulusevski, ka zbuluar se është frymëzuar nga Adnan Januzaj – ylli me prejardhje shqiptare – kur ka vendosur ta zgjedhë numrin e fanellës së vet.

Kulusevski ka shkëlqyer këtë sezon në Serie A me Parmën, për të cilën e bart fanellën me numrin 44, duke i shënuar pesë gola dhe shtatë asiste në 23 ndeshje në ligë, raporton Gazeta Express.

Forma e lartë këtë vit në moshën 19-vjeçare bëri që kampioni italian Juventus ta blejë Kulusevskin nga Atalanta në janar. Juve u pajtua ta lërë atë në huazim te Parma deri në përfundim të kampionatit aktual.

I pyetur se përse kishte vendosur ta vishte një fanellë me një numër më pak të zakontë, mesfushori suedez tregoi se frymëzim për të ka qenë Januzaj, i cili kishte bërë një debutim të ëndërruar për Manchester Unitedin me fanellën me numrin 44 në shpinë në vitin 2013.

“Po e shikoja Manchester Unitedin, Adnan Januzaj debutoi me një personalitet të madh dhe ai e mbante këtë numër. Prandaj i thashë babait tim: ‘Nëse jam titullar, dua të veproj si ai’.

“Pastaj rashë në dashuri me atë numër, i cili është pjesë e imja tani”, shtoi ai.

Përfaqësuesi shqiptar i Belgjikës, Januzaj kishte debutuar për Unitedin në moshën 18-vjeçare me dy gola në fitoren kundër Sunderland në vitin 2013.

Ai e kishte një sezon të parë debutues që la shumë mbresa në Premierligë, por dështoi ta tregonte veten në sezonet pasuese dhe u huazua disa herë, para se t’i bashkohej përfundimisht Real Sociedadit në La Liga më 2017.

Komento: