Edhe AAK bojkoton adresimin vjetor të Presidentes Osmani në Kuvend.
Pas Grupit Parlamentar të PDK-së edhe ai i AAK-së ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit ku presidentja Vjosa Osmani do të mbajë adresimin e saj vjetor.
Si arsye, AAK tha se Osmani ka dështuar në përmbushjen e detyrave të saj unifikuese.
“Presidentja Osmani ka dështuar t’i përmbushë obligimet e saj si presidente e vendit, për të përfaqësuar unitetin e popullit. Në shumicën e rasteve është në shërbim të kryeministrit, në funksion të agjendës së tij. Andaj, Grupi Parlamentar i AAK-së refuzon të marrë pjesë në adresimin e Presidentes së Republikës së Kosovës”.
Para pak minutash edhe edhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës kanë njoftuar se nuk do të jenë pjesë e seancës së organizuar për fjalimin vjetor të Presidentes Osmani.
“Grupi Parlamentar i PDK-së konsideron se organizimi i sotëm i fjalimit vjetor të Presidentes Vjosa Osmani, para deputetëve të Kuvendit, është një tjetër spektakël i pushtetit, që përmes rregullave formale të raportimit para Kuvendit, të mbulojë dështimin e mospunës së Presidentes”, u tha në njoftim.