Kompania ajrore Adria Airways ka njoftuar të mërkurën pasdite se do të vazhdojë të suspendojë pjesën më të madhe të operimeve duke përfshirë ato për në/nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” gjatë ditës së enjte 26 shtator dhe të premten 27 shtator 2019.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës thotë se është duke e monitoruar në vazhdimësi situatën e krijuar rreth operimit të kësaj kompanie.
“Duke iu kërkuar falje udhëtarëve të saj, kompania ajrore Adria Airways ka ripërsëritur këshillën ndaj udhëtarëve që ndikohen nga këto suspendime që të kontaktojnë agjencitë ku i kanë blerë biletat. Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës është duke e monitoruar në vazhdimësi situatën e krijuar rreth operimit të kësaj kompanie dhe do t’ju informojë për zhvillimet e reja”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Kujtojmë se kompania ajrore Adria Airways ka suspenduar fluturimet edhe më 24 dhe 25 shtator me arsyetimin e mungesës së fondeve për të operuar.
“Adria Airways është duke kërkuar intensivisht zgjidhje në bashkëpunim me investitorët e mundshëm. Qëllimi i të gjithëve është që Adria Airways të fluturojë përsëri dhe se ndërprerja e operimeve është me të vërtetë e përkohshme. Kompania ka shprehur keqardhje e thellë për situatën dhe kërkon falje nga të gjithë pasagjerët dhe partnerët e saj”, kishte njoftuar kompania.
Kompania u privatizua në vitin 2016 dhe ishte blerë nga AA International Holding, një degë plotësisht në pronësi të fondit të kthimit me qendër në Mynih 4K Invest, i cili që nga ajo kohë është akuzuar për keqmenaxhim të kompanisë.