Aeroporti “Adem Jashari” i përgatitur për çdo fatkeqësi, simulohet një aksident ajror

18:07 | 18 Qershor 2019

Në kuadër të një ushtrimi gjithëpërfshirës gjatë ditës së sotme është simuluar një aksident ajror në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, ku është reaguar në përputhje me standardet e Agjencionit Evropian për Siguri në Aviacion.

Në mënyrë të inskenuar mbi pesëdhjetë persona janë lënduar pas rrëzimit të një aeroplani dhe të gjitha ata kanë marrë trajtimin e duhur nga organet përgjegjëse.

Drejtori i Operimeve të Aeroportit, Adem Gashi u shpreh se qëllimi i këtyre ushtrimeve është që t’i testojnë kapacitet e tyre se sa janë në gjendje t’i përballojnë rastet e mundshme të fatkeqësive që mund të ndodhin.

“Qëllimi i këtyre ushtrimeve është që vërtetë t’i shohim dhe t’i testojmë kapacitetet tona edhe si aeroport, por edhe si shtet që në raste të fatkeqësisë të japim maksimumin që të shpëtojmë jetë të njerëzve dhe t’i minimizojmë dëmet në njerëz si dhe në të mira materiale. Prandaj, ushtrimi ka filluar me kohë, janë të gjithë skenarët të përfshirë evakuimi i pasagjerëve, arritja e gjitha agjencive shtetërore, transferimi i të lënduarve nga pika e aeroportit tek spitalet, etj”, tha ai.

Sa i përket sigurisë së aeroportit, “Adem Jashari”, drejtori Gashi tha se janë të sigurt dhe i përmbushin gjitha standardet.

“Ne jemi aeroport i përgatitur në bazë të standardeve të IKO-së aneksit 14 për kategorinë e aeroportit. Ne kemi numër të mjaftueshëm të pajisjeve të njerëzve, si dhe të procedurave të tjera të cilat mundësojnë që të mbërrijmë në vendin e aksidentit. Do të thotë që jemi të sigurt dhe i përmbushim standardeve për kategorinë të cilën e kemi”, u shpreh ai.

Ky ushtrim gjithëpërfshirës ndodhë çdo dy vjet në aeroportin, “Adem Jashari” në Prishtinë dhe marrin pjesë Policia, FSK, zjarrfikësit, Agjencia e Emergjencave, etj.

Komento: