Aeroporti i Prishtinës konfirmon se janë pezulluar fluturimet nga Italia për shkak të Coronavirusit

09:00 | 09 March 2020

ANP ‘Adem Jashari’ konfirmon se janë pezulluar fluturimet nga Italia për shkak të Coronavirusit.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka konfirmuar se janë pezulluar përkohësisht të gjitha fluturimet nga Italia dhe anasjelltas.

Sipas zëdhënëses së ANP-së, Valentina Gara pezullimi është marr pas vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.

“Njoftojmë të gjithë udhëtarët që me vendim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit të Republikës së Kosovës, të gjitha fluturimet për në Italinë Veriore janë anuluar përkohësisht!”, njofton Gara.

Lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës që thotë se ndalesa e këtyre fluturimeve është e përkohshme dhe vlen deri në vendimin e radhës.

“Ndalesa është e përkohshme dhe vlen deri në vendimin e radhës. AAC është në konsultim të vazhdueshëm me IKSHP-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë për monitorimin e situatës në rajonet e krizës dhe do të merr vendime përkatëse në bazë të rekomandimeve të IKSHP-së”, thuhet në njoftimin e ACK-së.

Ministri i Inftrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se janë anuluar të gjitha fluturime nga Italia e veriut.

Abdixhiku tregon se kjo është bërë me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë pas masave të mara nga qeveria italiane që pjesa veriore e këtij vendi të futet në karantinë, si masë parandaluese nga përhapja e Coronavirusit.

“Kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit. Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk të lartë. Fluturimet janë ndërprerë”, ka shkruar Abdixhiku.

Komento: