Afati kushtetuese për zgjedhjen e presidentit po ecën, Kurti ende asnjë përpjekje për takime me opozitën

09:45 | 02 Prill 2026
afati-kushtetuese-per-zgjedhjen-e-presidentit-po-ecen,-kurti-ende-asnje-perpjekje-per-takime-me-opoziten

Kryeministri Albin Kurti ende nuk ka ftuar në takim liderët e partive opozitare për çështjen e presidentit.

Ndonëse ka kaluar një javë nga nxjerr i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë se Kuvendi i ka vetëm 34 ditë për zgjedhën e presidentit, ai ende nuk ka nisur ftesat për takim me kryetarët e partive opozitare.

Udhëheqësit e PDK-së dhe LDK-së janë shprehur të gatshëm për takime me kryetarin e VV-së për të diskutuar rreth zgjedhjes së presidentit të ri.

Megjithatë, zyrtarët e të dy partive kanë bërë me dije se ende nuk ka ndonjë lëvizje nga Albin Kurti.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka kritikuar qeverinë për mungesë angazhimi në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se nuk sheh veprime konkrete nga kryeministri Albin Kurti për t’i dhënë vendit institucione të reja.

Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, ajo deklaroi se situata politike është e paqartë dhe e paorganizuar.

“Për ta zgjedhur Presidentin, nuk po shoh asnjë përpjekje serioze të kryeministrit Kurti që të bëj diçka në këtë drejtim dhe që vendit t’i jap institucione të reja, ndonëse deklaratat kanë qenë publike, është një amulli totale në kuptimin e qëndrimeve dhe veprimeve të Qeverisë Kurti dhe të Kurtit personalisht”, ka thënë ajo.

Edhe burimet brenda LDK-së kanë bërë me dije se ende nuk ka ndonjë ftesë nga lideri i VV-së.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se çështja e presidentit është tejet e rëndësishme dhe ajo duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh.

Në konferencën për media, në fillin të kësaj jave, ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do të nisë dërgimin e ftesave për takim me kryetarët e partive opozitë.

“Kjo është çështje tejet e rëndësishme, zgjedhja e presidentit duhet të trajtohet me seriozitetin më të lartë institucional dhe politik. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse nuk gaboj, kemi kohë deri më 28 prill, që do të thotë se i kemi 30 ditë, pra jo 3, por 30. Megjithatë, do të përpiqemi që sa më shpejt të kryejmë sa më shumë. Për këtë më nevojiten konsultimet e brendshme, dhe dihet se pas tyre menjëherë do të dërgojmë ftesa për takim me kryetarët e partive opozitare”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, kjo çështje duhet trajtuar me urgjencë.

“Sa i përket rëndësisë, kjo duhet trajtuar me urgjencë. Nuk duhet të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që arrijmë. Në këtë kuptim, çështja është më e rëndësishme dhe urgjente, por Kushtetuesja na ka dhënë një periudhë kohe që na lejon jo vetëm të veprojmë shpejt, por edhe të shmangim gabimet në mënyrën se si arrijmë aty ku duhet”, është shprehur ai.

Komento: