Afati për deklarimin e pasurisë deri më 31 mars, mbi 2,800 zyrtarë e kanë përfunduar procesin

16:20 | 23 Mars 2026
afati-per-deklarimin-e-pasurise-deri-me-31-mars,-mbi-2,800-zyrtare-e-kane-perfunduar-procesin

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka njoftuar se procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 është duke vijuar me intensitet që nga dita e hapjes, ndërsa afati ligjor për përmbylljen e tij mbetet më 31 mars 2026.

Sipas të dhënave të publikuara, deri në këtë fazë të procesit, 2,876 subjekte deklaruese e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë. Ndërkohë, 1,964 zyrtarë e kanë nisur procedurën dhe janë ende në proces të plotësimit të formularit elektronik, ndërsa një numër i konsiderueshëm nuk e kanë filluar ende përmbushjen e këtij obligimi ligjor.

Nga përditësimet e fundit në sistem rezulton se numri i përgjithshëm i subjekteve deklaruese për këtë cikël në Republikën e Kosovës është 10,353 zyrtarë të lartë publikë.

Në përputhje me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave, të gjithë personat zyrtarë janë të obliguar ta kryejnë deklarimin brenda afatit të përcaktuar.Agjencia u ka bërë sërish thirrje zyrtarëve që ende nuk e kanë përfunduar deklarimin që ta bëjnë këtë sa më parë, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe integritetit institucional.

“Deklarimi i pasurisë brenda afatit ligjor është një element kyç për ndërtimin e besimit publik dhe për forcimin e kulturës së integritetit në institucionet e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj.Po ashtu, Agjencia ka rikujtuar se mosdeklarimi, vonesat apo deklarimi i pasaktë përbëjnë shkelje ligjore dhe sanksionohen sipas legjislacionit në fuqi.“Sanksionet përfshijnë gjoba, kallëzim penal dhe masa të tjera ligjore, ndërsa në raste të caktuara mund të shqiptohen edhe dënime me burgim dhe konfiskim të pasurisë së padeklaruar”, thuhet në njoftim.Subjektet deklaruese mund të qasen në sistemin elektronik për deklarimin e pasurisë përmes platformës zyrtare, ndërsa Agjencia ka vënë në dispozicion edhe manualin për përdorimin e sistemit si dhe udhëzimet për rikthimin e fjalëkalimit.

Komento: