Në zgjedhjet e 6 tetorit, PDK, LDK dhe Vetëvendosje do të garojnë të vetme.
Janë dorëzuar të gjitha listat e partive politike lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në Kosovë. PDK dhe LDK shkojnë të vetme në zgjedhje. Negociatat e të gjitha partive politike në vend për koalicion parazgjedhor kanë përfunduar.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje edhe zyrtarisht shkojnë të vetme në zgjedhje.
Tashmë edhe afati zyrtar për t’i dorëzuar koalicionet në KQZ ka përfunduar.
Koalicioni i parë i dorëzuar në KQZ ishte ai Vakat. Ky koalicion është deklaruar nga 3 Parti Politike nga radhët e komunitetit boshnjak: Demokratska Stranka Bošnjaka, Demokratska Stranka Vatan dhe Ujedinjena Stranka Bošnjaka.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate kanë dorëzuar në KQZ koalicionin të cilin ish-kryeministri Haradinaj e ka quajtur koalicion të fitores.
Nisma Socialdemokrate e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë është koalicioni i tretë i dorëzuar në KQZ dhe e konfirmuar si listë në zgjedhje.
Këto ditë më në spikamë ishte koalicioni i mundshëm midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje – por që nuk ndodhi.
Lidhja Demokratike e Kosovës e refuzoi propozimin e Vetëvendosjes për listë të përbashkët zgjedhore pa kandidatë paraprak për kryeministër.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës që nga dorëheqja e Haradinajt kanë deklaruar se do të shkojnë vetëm në zgjedhjet e 6 tetorit.