Kosovës i duhen 700 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike.
Ministria e Financave dhe Transfereve ka filluar përgatitjen e planit për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Për këtë çështje është paraparë të formohet edhe një komisioni.
Ky komision parashihet të ketë partneritet me shoqatat, Odat ekonomike si dhe botën akademike.
Zëvendësministri i Financave dhe Trasnfereve, Agim Krasniqi tha për Ekonomia Online se nevojitet një bashkërendim që Pakoja e rimëkëmbjes ekonomikë të jetë funksionale dhe në drejtim të bizneseve.
“Idetë e para për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike janë përgatit nga Ministria e Financave ku do të marrin pjesë edhe disa ministra të linjës, janë të ftuar edhe përfaqësues të Odave dhe shoqatave dhe botës akademike. Këto ide që ka MF dhe bizneseve me i vendos brenda pakos”.
“Jemi në përgatitje të komisionit, por nuk kemi diçka konkrete. Në kuptimin e përgatitjes po, ministri ka idetë por ato duhet me i diskutua me partnerët që kjo pako me qenë funksionale me iu përgjigj bizneseve me mundësitë që ka Kosova”, ka thënë Krasniqi.
Me tej, Krasniqi deklaroi se nevojitet edhe ndryshim i bazës ligjore për menaxhim të financave publike që Qeveria të marr kredi dhe letra me vlerë.
Ai tha se priten deri në 200 milionë euro më pak të të hyrave, derisa tha se duhet të përgatitet ”injeksioni” që në total kap shifrën prej 700 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike.
“Mund të presim rreth 200 milionë euro më pak në pjesën e të hyrave, por kur pako është e përgatitur do të shikohet sa mjete Qeveria duhet të kërkoj prej kredi marrjes dhe burimeve tjera siç janë letrat me vlerë”.
“Ato kërkojnë që të bëhen edhe disa rregullime në bazën ligjore, kryesisht ligjin për menaxhim të financave publike për të lejuar që Qeveria e Kosovës me thye rregullën që është për deficitin buxhetor për bilanci bankar dhe pjesës me kredi marrje. Këto elemente duhet t’i koordinoj me Kuvendin. Por deri në atë kohë nuk e pengon Qeverinë me marrë masa dhe me përgatit planin”.
“Krahas pakos emergjente që duhet me e mbulua rreth 189 milionë masat e marra, humbjet që janë rreth 200 milionë, duhet me u përgatit pjesë e injeksionit prej 400 milionë. Në total 700 milionë duhet të jetë shifra për rimëkëmbjen ekonomike”, u shpreh Krasniqi për EO.
Krasniqi potencoi se Pako ka për prioritet prodhimin dhe fushat që kanë kapacitet përfshirë edhe bujqësinë.
Derisa theksoi se fokusi kryesor do të jetë ndryshimi i bilancit tregtar dhe të pagesave.
Kapacitetet financiare janë zvogëluar, kjo sipas Krasniqit dhe do të ndikojë në implementimin e Pakos Emergjente.
“Përveç idesë me përgatit një strukturim të ekonomisë, që ekonomia me shfrytëzua këtë rast që prioritet me iu jep prodhimit, fushave ku kemi kapacitetit sikur IT, apo edhe në sektorin e bujqësisë. Fokusi duhet të jetë të bimët industriale dhe të tjera që mundem me qenë më ekonomike që me u përgatit edhe për një ndryshim të bilancit të pagesave dhe tregtar duke i përdorur këto masa”, tha ai.