Edhe Nasim Haradinaj ortak me të dyshuarin për fajde.
Gati dy muaj më herët, Rrahim Hashimi e Nasim Haradinaj ishin bashkë në selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, ku u bë e ditur se Prokuroria e Specializua, e ka ftuar për intervistim Hashimin.
Por, Rrahim Hashimi dhe Nasim Haradinaj, nënkryetar i OVL të UÇK-së, përveç të kaluarës së përbashkët në UÇK, po del se kanë bërë plane edhe për të ardhmen, raporton KTV.
Ëest Investigation & Advisory L.L.C, është biznes që për drejtor ka Rrahim Hashimin, ndërsa aktivitetin kryesor e ka atë të këshillimit për biznes.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në këtë biznes, Haradinajt i figurojnë 30% të aksioneve, por ai thotë të mos ketë paguar për to.
Haradinaj mban edhe postin e drejtorit të Bujqësisë në Komunën e Deçanit, rrjedhimisht obligohet ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër-Korrupsion.
Në formularin e vitit 2018, nuk figurojnë këto aksione, por Haradinaj tha se pavarësisht që biznesi është i themeluar nga Hashimi në vitin 2009, ai vetëm para pak muajsh është bërë bashkaksionar dhe nuk kanë bërë asnjë punë.
Por, ka shpresë që bashkë me Hashimin, do t’i bëjnë miliardat.
Përveç Haradinajt e Hashimit, në këtë biznes figurojnë edhe 2 aksionarë të tjerë, njëri me 30 e tjetri me 9% të aksioneve.
Në emër të Rrahim Hashimit figurojnë një sërë biznesesh në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, duke filluar me lojëra të fatit, ndërtimtari e deri te industria e filmit.