Afrim Veseli: Pagat në FSK janë të pamjaftueshme për t’i mbajtur familjet

18:08 | 13 November 2024
afrim-veseli:-pagat-ne-fsk-jane-te-pamjaftueshme-per-t’i-mbajtur-familjet


Pagat e ulëta e të pamjaftueshme për t’i përmbyllur shpenzimet mujore familjare ka bërë që shumë pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës të angazhohen edhe në punë dytësore, kryesisht pas orarit të punës në institucionin shtetëror, apo gjatë vikendeve.

Njejtë kishte vepruar edhe eprori i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Liman Musliu, i cili ditë më parë (të shtunën) humbi jetën tragjikisht derisa ishte duke punuar në një objekt banesor në Prishtinë, me ç’rast ra nga kati i dhjetë i atij objekti.

Vdekja e Musliut ka ngjalluar reagime të shumta në Kosovë, duke e kritikuar Qeverinë e Kosovës për paga të ulëta dhe mos ofrimin e sigurisë në vendin e punës.

Ish-kolonelët në pension nga radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë kritikuar ekzekutivin e vendit për mos ofrimin e një page dinjitoze për ushtarët e FSK-së.

Përndryshe, shteti kishte dështuar muajt e fundit që pjesëtarët e FSK-së t’i furnizojë edhe me ushqim cilësor.

Koloneli në pension i FSK-së, Afrim Veseli në një prononcim për “Front Online” ka vlerësuar se pagat e pjesëtarëve të FSK-së janë të pamjaftueshme.

Sipas tij, kërkesat për rritjen e pagave për këtë kategori të rëndësishme për vendin, kanë shkuar në vesh të shurdhër.

“Pagat e pjesëtarëve të FSK nuk mjaftojnë për një mbijetesë normale. Kërkesat për rritjen e pagës kanë shkuar në vesh të shurdhur.  Pagat e pjesëtarëve të FSK, sidomos ato të nënoficerëve nuk mjaftojë as për dy javë tek një familje katër anëtarësh”, ka deklaruar Veseli.

Komento: