Shqipëria u godit nga një tërmet i fuqishmë muaj me parë.
Fshati Thumanë është goditur më së rëndi nga tërmeti.
Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri shkaktoi dëme në vlerë prej 985 milionë eurosh, ndërsa ndikoi edhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike, thanë zyrtarë të këtij vendi.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, tha se shifrat janë hartuar në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe Kombeve të Bashkuara për fatkeqësitë natyrore në të gjithë botën.
Tërmeti me fuqi prej 6.4 shkallësh të Richterit la 51 njerëz të vdekur dhe qindra të plagosur.
Në total, 202,291 njerëz në 11 komuna janë prekur nga katastrofa, tha Çuçi në një konferencë në Tiranë, raporton agjencia e lajmeve DPA.
Sipas tij, autoritetet kanë kontrolluar rreth 50,000 ndërtesa të dëmtuara.
Menaxherja e Bankës Botërore në Shqipëri, Evis Sulko, tha se tërmeti ka shkaktuar dëme që kapin vlerën e gjithsej 7.5 për qind të bruto prodhimit të brendshëm të Shqipërisë dhe se ka bërë që ekonomia të ngadalësohet.
“Shkalla e rritjes ekonomike në fund të vitit të kaluar ka qenë në rënie dhe kjo trajektore është parashikuar edhe për këtë vit”, tha Sulko.
Parashikimi i rritjes ekonomike për 3.5 për qind ka rënë tani në 3.2 për qind.
Bashkimi Evropian planifikon të mbajë një konferencë donatorësh më 17 shkurt për ta ndihmuar Shqipërinë në trajtimin e pasojave të tërmetit.