Agim Bahtiri reagon ndaj emërimeve të reja në AKI

21:09 | 25 November 2019

Agim Bahtiri ka reaguar ndaj emërimeve të reja në AKI-së.

Sot kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, në bashkërendim me presidentin, Hashim Thaçi, ka emëruar shefin e ri të Agjencisë të Intelegjencës së Kosovës, Kreshnik Gashi, si dhe inspektorin e përgjithshëm të AKI’së, Burim Ramadani.

Për këtë vendim ka pasur reagime të shumta. Shoqëria civile dhe subjektet politike e kanë quajtur këto si emërime politike dhe të jashtëligjshme nga një kryeministër në largim.

Së fundi ka reaguar edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Emërimi i sotëm i Shefit të AKI-së dhe Inspektorit të Përgjithshëm të këtij institucioni shumë të rëndësishëm të sigurisë nga presidenti dhe kryeministri në dorëheqje është skandaloz dhe i papranueshëm. Kjo po bëhet me qëllim nga njeriu që po dëshiron ta mbajë pushtetin dhunshëm dhe pa zgjedhur mjete, e ai është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi”, ka thënë Bahtiri.

“Pas dorëheqjes së Qeverisë dhe sidomos pas zgjedhjeve të 6 tetorit Qeveria nuk guxon të merr vendime të rëndësisë së madhe për vendin, pasi që është pa legjitimitet, por që një avaz të tillë po e vazhdon kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, i cili vetëm sa për ta rehatuar një zyrtar partiak në pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm, po vihet në shërbim të Hashim Thaçit. Tashmë po shihet se prej përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, presidenti është mundur me çdo kusht ta destabilizoj vendin, duke vënë në lëvizje institucionet e caktuara, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Supreme dhe KQZ-në, të cilat nuk kanë lënë lëvizje pa bërë vetëm e vetëm që ta fusin një koalicion të dështuar në Kuvendin e Kosovës, me shpresën së në këtë mënyrë do ta pamundësojnë Qeverinë Kurti”

Bahtiri ka shtuar tutje se presidenti po dëshiron të zaptoj pozitat kyçe të shtetit me militantë partiak, për të cilat ishte premtuar nga Albin Kurti se do të ndryshonin pozitivisht. Po ashtu ai ka thënë se këto vendime që kanë ardhur pas 6 tetorit do të shfuqizohen.

Komento: