Agim Bahtiri tregon kohën kur do të bashkohet Mitrovica – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Agim Bahtiri tregon kohën kur do të bashkohet Mitrovica

20:05 | 24 Janar 2019

Gjatë këtij viti pritet të bashkohet Mitrovica. Kështu të paktën po pretendon Agim Bahtiri.

Kryetari që mori mbështetje nga rreth 17 mijë qytetarë në idenë e tij për bashkim, thotë se Mitrovica do të bashkohet sivjet, raporton KTV.

“Nuk dua të jap afate, por besoj që Mitrovica bashkohet këtë vit”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri, i cili mori mbështetje edhe nga presidenti, thotë se me kryeministrin Haradinaj nuk ka folur direkt, por mbështetje ka marrë nga vëllai i tij, deputeti, Daut Haradinaj, si dhe nga të gjithë kolegët e tij kryetarë komunash që vijnë nga AAK-ja.

U ka tërhequr vërejtjen vendorëve e ndërkombëtarëve që t’i mbajnë larg duart nga Mitrovica.

Bahtiri ka bërë thirrje që Kuvendi të ecë tutje me peticionin, e për bashkimin e Mitrovicës është i bindur se nuk ka nevojë fare për votat e Listës Serbe.

“Mezi po pres me ju pa fytyrat atyre në Kuvend që do të votonin kundër”, ka thënë më tej Bahtiri.

Por, qytetarët e Mitrovicës nuk janë aq optimistë sa Bahtiri.

Derisa mbështetje iniciativës së Bahtirit i ka dhënë presidenti Hashim Thaci, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, këtë e ka quajtur vetëm lojë politike.

Ai tha se do t’i japin mbështetje peticionit të qytetarëve që tash është në Kuvend, megjithëse thotë se ka vështirësi në realizim.

KTV-ja ka pyetur presidencën rreth qëndrimeve të presidentit për bashkimin e Mitrovicës së Jugut e Veriut, por ky institucion, si zakonisht, nuk ka kthyer përgjigje.

Rreth kësaj, nuk ka dashur të komentojë as Qeveria e Kosovës.

Bashkimi i Komunës së Mitrovicës së Jugut me atë të Veriut nuk mund të ndodhë pa miratimin e Listës Serbe.

Me kushtetutë përcaktohet se ndryshimi i kufijve komunalë është legjislacion me interes vital, që kërkon edhe shumicën e votës së deputetëve të komuniteteve pakicë.

Komento: