“Fytyra i thotë të gjitha”, Agim Veliu akull, nuk ia zgjatë dorën për urime Vjosa Osmanit.
Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre nga radhët e kësaj partie.
Ndërkohë, kur shumica e sallës ku po mbahej mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ishin në disponim të mirë, dikujt sikur nuk po i pëlqente kjo.
Nënkryetari i parë i kësaj partie, Agim Veliu dukej mjaft i pakënaqur dhe jo-entuziast për kandidimin e bashkëpartiakes së tij për kryeministre të vendit.
Ai në videon e faqes zyrtare të LDK-së, shfaqet mjaft i ftohtë dhe madje nuk ia zgjatë dorën fare Vjosa Osmanit për ta uruar, gjë që e bënë kryetari i LDK-së Isa Mustafa, nënkryetari Lutfi Haziri e sekretari Ismet Beqiri.
Përçarje midis Veliut dhe Osmanit ka pasur edhe më herët në LDK pas pretendimeve për postin e të parit të partisë, përçarje këto të cilat u shuan me rizgjedhjen e Isa Mustafës në krye të partisë.
Gjithashtu, ekzistojnë zëra se njëri nga dy nënkryetarët e parë të LDK-së, gjithashtu një nga njerëzit më me ndikim në këtë parti, Agim Veliu nuk ishte i pajtimit për kandidaturën e Vjosa Osmanit për kryeministre.
Mbetet të shihet pas hapjes së fushatës se cili do të jetë disponimi i Veliut dhe cila do të jetë atmosfera brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës – ku tani dihet se ekzistojnë dy grupe të paunifikueshme përbrenda.