Agim Veliu bisedon në telefon me homologun turk, flasin edhe për migrantët që po vijnë nga Turqia në Kosovë

17:14 | 14 Tetor 2020

Veliu bisedon në telefon me homologun turk, flasin edhe për migrantët që po vijnë nga Turqia në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij nga Turqia Sylejman Soylu, ku biseduan për menaxhimin e situatës me pandemisë COVID- 19 për të dyja vendet dhe masat e ndërmarra për parandalimin dhe luftimin e saj.

Të dy biseduan edhe për bashkëpunimin ndër-shtetërore mes dy vendeve sa i përket fushës së sigurisë dhe sigurimit të mbështetjes së Turqisë në avancimin e mekanizmave të sigurisë.

Po ashtu u diskutua edhe për lëvizjet migratore që po përdorin territorin e Republikës së Turqisë dhe përmes korridoreve tjera po arrijnë në Kosovë.

“Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Turqisë, z. Suleyman Soylu theksoi kontributin dhe punën e Ministrit Veliu dhe Qeverisë së Kosovës si kontribues i stabilitetit të qëndrueshëm në rajon. Gjithashtu, Ministri Soylu shprehi gatishmërinë e Republikës së Turqisë për përkrahje të vazhdueshme për Republikën e Kosovës për anëtarësimin në institucionet dhe mekanizmat e sigurisë. Me këtë rast të dy ministrat e Punëve të Brendshme u pajtuan që të takohen në një të ardhme të afërt për intensifikim të bashkëpunimit mes të dy vendeve, me qëllim të forcimit të institucioneve ndër-shtetërore në sundimin e rendit dhe ligjit si dhe sigurisë në këtë pjesë të Ballkanit”, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

Komento: