Agim Veliu e bën për ‘pesë pare’ Lumir Abdixhikun, pasi ky i fundit ja ‘hapi dyertë’ në LDK

10:09 | 18 Dhjetor 2025

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar publikisht pas mospërfshirjes së tij në listën zgjedhore të LDK-së për deputet, duke e cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe jo transparent.

Ky reagim i tij vjen pas deklaratës së Lumir Abdixhikut, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili tha se “Veliu e ka gjithmonë derën e hapur në LDK”.

Veliu ka theksuar se ka qenë dhe mbetet pjesë e LDK-së jo për interesa personale, por për bindje politike dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve që i kanë dhënë besimin ndër vite.

Ai ka bërë të ditur se listat zgjedhore tashmë janë mbyllur dhe se deklaratat për “derë të hapur” pas këtij procesi janë më tepër formale dhe nuk ndryshojnë realitetin.

Sipas tij, përgjegjësia për mospërfshirjen e tij bie mbi kryetarin e partisë dhe të emëruarin e tij në Podujevë, të cilët, siç shprehet Veliu, në koordinim të plotë kanë shpërfillur gatishmërinë e tij për të qenë pjesë e garës dhe kërkesat e mijëra votuesve, të shprehura edhe publikisht.

“Unë nuk kam kërkuar favore, por respekt për procesin, për anëtarësinë dhe për votuesit”, ka deklaruar Veliu, duke shtuar se parimet dhe dinjiteti nuk janë çështje momenti dhe nuk mund të negociohen.

Ai ka theksuar se do të vazhdojë të flasë hapur dhe të veprojë me përgjegjësi, duke nënvizuar se politika ka kuptim vetëm kur u shërben qytetarëve dhe jo kur mbyllet ndaj tyre. Sipas tij, nëse dera do të ishte vërtet e hapur, kjo do të reflektohej në vendimmarrje e jo vetëm në deklarata publike.

Në fund të reagimit, Veliu ka theksuar se anëtarësia, votuesit e LDK-së dhe opinioni publik kanë të drejtë të dinë arsyen pse ai nuk është pjesë e listës zgjedhore, duke përmbyllur deklaratën me urimin: “Zoti e bekoftë LDK-në”.

Komento: