Agim Veliu i kundërpërgjigjet Kurtit: S’bëmë koalicionin sepse jemi të parët në sondazhe

16:45 | 19 September 2019

Deklarata e Albin Kurtit ka ngjallur reagime në krerët e LDK-së.

Numri dy i LDK-së, Agim Veliu, i është kundërpërgjigjur kreut të Vetëvendosjes Albin Kurtit që tha se bashkëpunimin në koalicion mes të dy partive, e ndaloi frika që Lidhja Demokratike ka nga PDK-ja e Kadri Veselit. Në një përgjigje për Express, Veliu këtë deklaratë të Kurtit e ka quajtur të pakuptimtë e “margaritar”.

Disa muaj negociata nuk arritën të bashkojnë në koalicion parazgjedhor Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje. As oferta që kreu i VV-së, Albin Kurti, ia bëri LDK-së së Isa Mustafës që numrin një në listë zgjedhore ta marrë Lidhja Demokratike, nuk e bindi këtë të fundit.

Kështu të dy partitë vendosën që të testojnë veten duke shkuar pa koalicione në zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor.

E vetëm atëherë kur filloi gara para fushatës, doli në pah ajo se çka vërtetë i la larg një koalicioni i mundshëm partnerët që për dy vite funksionuan së bashku si një në opozitë.

Elez Blakaj u bë sebep i parë që dy kandidatët, Albin Kurti e Vjosa Osmani të gjuanin kritikat e para për njëri-tjetrin.

Derisa Kurti tha se do ta kthejë në Kosovë prokurorin që tash gjendet në SHBA, Osmani iu kundërpërgjigj duke thënë se kjo është logjikë e “Pronto”-s. Pak kohë iu desh Albin Kurtit që për të njëjtën deklaratë të fliste në Emisionin Pressing në T7. Lideri i VV-së tha se dëshira e LDK-së mbeti prapa nga frika që kishin këta të fundit ndaj PDK-së.

“LDK-ja nuk merrnin vesh kur thosha ta bëjmë koalicionin parazgjedhor. Unë kisha optimizëm të shkonim para, por dëshira e tyre që të vijnë me neve, ngelej mbrapa nga frika e tyre prej PDK-së”, deklaroi ai.

Kësaj deklarate të Albin Kurtit i është përgjigjur nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu.

Veliu ka thënë se ajo çka ka deklaruar Kurti është e pakuptimtë, derisa këtë thënie e ka konsideruar si margaritar.

“Ajo është diçka shumë pa lidhje, shumë e pakuptimtë. Ai duhet me e elaboru këtë thënie, këtë margaritar”, thotë Veliu, derisa, tutje, ka dhënë shpjegime se pse realisht nuk u arrit marrëveshja që LDK-ja dhe Vetëvendosja të shkonin së bashku në një listë zgjedhore.

“Nuk ka pasë lidhje me PDK-në koalicioni jonë me subjekte tjera. Ne i kemi shqyrtu koalicionet tona e kem pa që në sondazhe jemi partia e parë nuk kemi pas frikë me hy vetëm. Bisedat që janë udhëheq nuk kam marrë pjesë po në bazë të informacioneve është se kërkesat e tyre kanë qenë maksimale që të hyjmë vetëm dhe që pozicioni i kryeministrit ka qenë në diskutim dhe asnjëra palë nuk ka lëshu pe. Neve nuk na ka taku me lëshu pe sepse jemi partia e parë në të gjitha sondazhet”, ka thënë nënkryetari i LDK-së.

Agim Veliu ka komentuar edhe deklaratën e kandidatit për deputet të Vetëvendosjes, Glauk Konjufcës që tha mbrëmë se Vjosa Osmani ka vepruar me logjikë të Prontos me rastin e prokurorit Elez Blakaj.

“Vjosa ka heshtur kur është diskutuar për Elezin ajo ka funksionuar me logjikën e Pronto-s dhe ka heshtur”, ka thënë Konjufca.

Mirëpo, ajo se çka tha Konjufca për Osmanin si duket nuk po i bën përshtypje Veliut. Ai thotë se partia e Kurtit është e njohur për deklarata të tilla.

“Këto janë të njohur për deklarata të tilla”, tha ai.

Por, sa po i prish marrëdhëniet në mes të dy partive dhe një bashkëpunim të mundshëm pas ditës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, sipas Veliut mbetet të diskutohet në parti.

“Për çdo gjë LDK-ja do të marrë vendime nuk janë individuale do të diskutohen”, ka përfunduar Veliu.

Që nga fillimi i qeverisë PAN, LDK-ja dhe Vetëvendosja kishin filluar bashkëpunimin për mocion të mosbesimit. Menjëherë pasi Ramush Hardinaj deklaroi dorëheqjen nga pozita e kryeministrit, dy liderët Isa Mustafa e Albin Kurti zhvilluan disa takime për një marrëveshje të mundshme të koalicionit.

Gjithçka shkonte në pikën zero atëherë kur të dy partitë nuk lëshonin pe për pozitën e kryeministrit. Megjithatë, Mustafa dhe Kurti u dakorduan që të bashkëpunojnë pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit, duke u shprehur se pozita e të parin në qeveri do t’i takojë partisë që del e para në zgjedhje.

Komento: