Agjenti i Andi Zeqirit ka thënë se talenti nga Kosova dëshiron të mbetet te Zvicra.
Andi Zeqiri mund të vazhdojë të mbetet pjesë e Kombëtares së Zvicrës.
Një ditë pasi babai i futbollistit për media në Kosovë konfirmoi se djali i tij me vetë dëshirë ka zgjedhur të përfaqësojë ‘Dardanët’ në nivelin ndërkombëtar, të kundërtën sot e thotë kompania që menaxhon futbollistin.
‘Gold Kick Urscheler’, një kompani që menaxhon Andi Zeqirin, në faqet e tyre në rrjetet sociale ka bërë të ditur se 21 vjeçari dëshiron të luajë për Zvicrën.
Sipas tyre, ai i ka dërguar një letër Federatës së Futbollit të Zvicrës, për të shprehur dëshirën për të luajtur për ‘helvetikët’.
“Kompania Gold Kick SA dëshiron t’iu informojë se lojtari Andi Zeqiri (shtetas i Zvicrës dhe Kosovës) i ka dërguar një letër sot Federatës së Futbollit të Zvicrës ku thotë se ai dëshiron të vazhdojë të luajë për ekipin kombëtar të Zvicrës”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Në Kosovë është shpresuar shumë që Andi Zeqiri t’u bashkohet ‘Dardanëve’ për ndeshjet e tetorit.