“Nuk refuzohet Newcastle”, agjenti i Tonalit: Shitja e tij ndihmon Milanin.
Sandro Tonali pret vetëm zyrtarizimin për t’u kthyer në lojtarin më të ri të Newcastle. Një nga katër klubet që do të përfaqësojnë Anglinë sezonin e ardhshëm në Champions League.
Milani do të përfitojë rreth 80 milionë euro përfshirë bonuset, ndërkohë që mesfushori 23-vjeçar do të firmosë një kontratë 6-vjeçare. Nga e cila do të përfitojë 8 milionë euro në sezon (+2 në formë bonusesh).
Agjenti i Tonalit, shitja e të cilit ka zemëruar shumë tifozët e Milanit, Giuseppe Riso thekson se oferta e ardhur nga ishulli ishte e parefuzueshme.
“Sandro është i qetë. Kur merr oferta kaq të rëndësishme është e vështirë t’i refuzosh. Si për Milanin ashtu edhe për lojtarin. E kemi arritur marrëveshjen me Newcastle, tani pritet akordi zyrtar mes dy klubeve.
Newcastle dhe Milan po merren me detajet e fundit. Bëhet fjalë për çështje bonusesh, disa aspekte teknike dhe gjëra burokratike. Sandro do të kryejë testet mjekësore në ditët e ardhshme.
Ndihem i lumtur, sepse ky është një operacion i shkëlqyer merkatoje. Sandro do t’i ndihmojë Milanin dhe Brescian (ka ruajtur 10% të kartonit) me shitjen e tij.
Newcastle? Projekti perfekt për të. Anglezët e kërkuan me ngulm dhe Sandro do të jetë një pikë referimi në skuadrën e Eddie Howe”, përfundoi agjenti i lojtarit të kombëtares italiane.