AGK-ja dënon pengimin e gazetarit Godanci nga mbrojtja e afërt e kryeministrit në detyrë, Kurti

12:43 | 02 Maj 2025
agk-ja-denon-pengimin-e-gazetarit-godanci-nga-mbrojtja-e-afert-e-kryeministrit-ne-detyre,-kurti

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar fuqishëm incidentin e ndodhur sot, ku gazetari i T7, Genc Godanci, është penguar fizikisht nga pjesëtarë të mbrojtjes së afërt të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë përpjekjes së tij për të bërë pyetje lidhur me Indeksin e Lirisë së Medias të publikuar nga Reporterët pa Kufij.

Sipas AGK-së, në pamjet e publikuara, një nga pjesëtarët e sigurimit shihet duke ia kapur dorën gazetarit në dy raste, ndërsa një tjetër i bllokon rrugën në përpjekjen e tij për të marrë përgjigje. Organizata vlerëson se ky veprim përbën shkelje serioze të të drejtës së gazetarëve për të ushtruar profesionin e tyre në mënyrë të lirë dhe pa frikë.

“Kjo nuk është hera e parë që gazetarët pengohen me dhunë nga mbrojtja e afërt në sytë e kryeministrit në detyrë, Kurti”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe kryeministrit në detyrë që të garantojnë kushte normale pune për gazetarët, veçanërisht në rastet kur ata kërkojnë përgjigje nga zyrtarët e lartë në hapësira publike.

Komento: