AGK: Shqetësues dhe dekurajues votimi i Luljeta Aliut për anëtare të KPM-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj emërimit të Luljeta Aliut si anëtare e Komisionit të Pavarur të Mediave.
Sipas AGK-së, emërimi i Aliut tregon hapur intencën e partisë në pushtet për të vënën nën kontroll institucionet e pavarura mediale.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka përcjellë me shqetësim votimin në Kuvend të zonjës Luljeta Aliu për anëtare të Komisionit të Pavarur të Medieve. Votimi nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e një avokateje publike të politikave të saj në Qeveri, tregon hapur intencën e partisë në pushtet për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura mediale”, thuhet në deklaratën e AGK-së.
Komisioni i Pavarur i Medieve, sipas AGK-së, duhet të ruajë pavarësinë politike dhe partiake, për të kryer në mënyrë të pandikuar punën për monitorimin dhe rregullimin e skenës audio-vizuale në Kosovë.
“Emërimi i zonjësAliu shkon në kundërshtim me këtë përpjekje dhe mund t’i kontribuojë klimës anti-medie që kjo qeveri ka krijuar, në shumë raste në dy vitet e fundit”, thuhet në fund të deklaratës.