Agusholli tregon pse ai e Eman Rrahmani u ulën ka opozita,

21:30 | 29 September 2022

Sot Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë plenare.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, ka folur pasi ai dhe kolegu i tij nga VV’ja, Eman Rrahmani, ndryshuan ulëset për t’u ulur ka opozita.

Përmes një postimi në Facebook, Agusholli ka thënë se ndryshimi i ulëses nuk ka qenë as provokim, e as shenjë se po ndahet nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Tutje, Agusholli ka deklaruar se s’është prej atyre “që e tradhëtojnë familjen e familjarët”, pavarësisht se mund të ketë ndonjë mospajtim.

“Ndryshimi i ulëses nuk ka qenë as provokim, e as shenjë se po ndahem nga Lëvizja. Unë jam pjesë e familjes politike, që quhet Vetëvendosje, e nuk jam prej atyre që e tradhëtojnë familjen e familjarët, pavarësisht se aty mund të ketë ndonjë mospajtim.

Në secilin rast të parin e kam vendosur votuesin e Lëvizjes. Ata më kanë votuar me 14 shkurt, si pjesë e listës së ndryshimit, andaj edhe unë i përmbahem këtij besimi. Nuk do ta thyej atë besim, as duke e lënë Lëvizjen, por as duke i shkelur parimet e mia”, ka shkruar Agusholli.

Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, edhe deputeti Eman Rrahmani shpjegoi arsyen e këtij veprimi.

Ai tha se vendet ku ishin ulur ata të dy, përdoren thuajse nga të gjithë deputetët e Kuvendit të cilët kanë hyrje-dalje të shpeshta. Sipas tij, kjo bëhet për të mos i penguar të tjerët.

“Ato janë ulëse të lira e që përdoren prej krejt deputetëve çdo seancë. Nuk është hera e parë, pothuajse çdo seancë, kur nuk jam në vendin ku e kam ulësen, ulem aty për shkak se është më afër derës së bufesë edhe lëvizim kur duam të dalim jashtë edhe të hymë brenda, për arsye që mos me i pengu kolegët tjerë.

Ato përdorën pothuajse prej krejt deputetëve. S’ka të bëjë kurgjo me çështje të tjera, thjesht është më praktike për shumicën e deputetëve që jemi aty kur kemi lëvizje të shpeshta”, tha ai.

Kujtojmë se Rrahmani, si dhe deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramoz Agusholli ditëve të fundit kanë shprehur pakënaqësi e mospajtime me partinë e tyre.

Komento: