Ahmeti e Abrashi nënshkruajnë një marrëveshje

12:17 | 14 Dhjetor 2020

Takohen dikur rivalët e Prishtinës, nënshkruajnë një marrëveshje.

Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës për lehtësimin e qarkullimit në Prishtinë.

Me këtë rast, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka thënë se marrëveshja e sotme është finalizim i një pune disa mujore.

A u shpreh se beson që disa nga projektet do të realizohen gjatë vitit të ardhshëm.

“Hyrja prej Grashticës, zgjerimi i rrugës për Hajvali, një lidhje e rrugës për Podujevë, do të përkrahim edhe financimin e Rrugës A, si dhe është edhe një marrëveshje me Asociacionin e Arkitekteve. Besoj që vitin e ardhshëm disa prej këtyre projekteve kanë me marrë formë dhe do të realizohen”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se kjo është një marrëveshje që e vendos me të vërtet Prishtinën prioritet, pasi koordinohen ministria dhe komuna së bashku për menaxhimin e rrugëve dhe komunikacionit.

“Rruga A është në buxhetin për vitin 2021. Po ashtu e kemi edhe ndërtimin e kolektorit në Hajvali, e cila mund te quhet një para lagje e Prishtinës për shkak të numrit të madh të banorëve. Kjo marrëveshje është një lajm i mirë që përkundër përkatësisë politike gjithmonë ka mundësi për bashkëpunim”, tha ai

Komento: