Ahmeti në vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, aviacioni civil një nga temat

18:02 | 10 Janar 2024
ahmeti-ne-vizite-zyrtare-ne-arabine-saudite,-aviacioni-civil-nje-nga-temat

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka përmbyllur vizitën zyrtare në Arabinë Saudite.

Gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare në Arabinë Saudite, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ahmeti, u prit në takim nga ministri i Transportit dhe Logjistikës, Saleh bin Nasser bin Alali Aljasser.“Në takim u bisedua për raportet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe mundësitë për rritjen e bashkëpunimit. Palët u pajtuan që të fillojnë procedurat për lidhjen e marrëveshjes në fushën e aviacionit civil, e cila do të lehtësonte udhëtimet e qytetarëve mes Prishtinës dhe qyteteve të ndryshme të Arabisë Saudite”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit, ai u takua me kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë – Arabi Saudite, Khaled Mohammed Albawardi. Në takim u bisedua për zhvillimet ekonomike e të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe për rritjen e bashkëpunimit parlamentar mes të dyja vendeve. Grupi i Miqësisë e mirëpriti ftesën për vizitë në Kosovë.

Në takimin e radhës, zëvendësministri Ahmeti u prit nga zëvendësministri për Punë të Jashtme të Jemenit, nga i cili u informua në detaje mbi kontekstin historik dhe zhvillimet e fundit në Jemen. Të dy zëvendësministrat shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit mes të dyja vendeve.

Ndërsa, në takim me drejtorin e Fondit Saudit për Zhvillim, Sultan Abdulrahman Al-Marshad, u diskutua mbi projektet aktuale infrastrukturore rrugore, projektet e ardhshme të infrastrukturës sportive dhe investimet në energjinë e ripërtëritshme. Në takim kishte dakordim për vazhdimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit aktual.

Komento: