Ahmeti për Kurtin: Besoja se me të vërtetë nuk duhej takuar Vuqiqi pa kërkuar falje

20:00 | 10 Qershor 2022

Shpend Ahmeti, ka komentuar takimet e Albin Kurtit.

Ish kryetari i Prishtinë, Shpend Ahmeti, ka kujtuar kohën kur ai besonte në qëndrimet e shumta të Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e të cilës ka qenë edhe vetë Ahmeti.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti, ka kujtuar se si besonte që nuk duhet takuar Vuçiqin përderisa ky i fundit nuk kërkon falje, një qëndrim të cilin e ka pasur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan lajmi.net.

Ai po ashtu kujton, se si ka besuar që të gjithë vjedhin, por edhe se si nuk do të ketë më xhipa e bodigarda, duke shtuar se ai, Ahmeti pra, ka bërë kompromise me parimet bazë të tija.

“Besoja se me të vërtetë nuk duhej takuar Vuqiqi pa kërkuar falje! Besoja se të gjithë po vjedhnin se dhe duhet ndalur me çdo kusht! Besoja se nuk do kishte xhipa e bodigarda më! Kam bërë kompromise me parimet e mia bazë sepse isha pjesë e një grupi të drejtë që e kishte përnime dhe kur shumica ishte për – mbase unë e kisha gabim për ca çështje!”, ka thënë përveç tjerash Ahmeti.

Postimi i tij i plotë:

Besova se e kishim përnjëmend!

Besoja se me të vërtetë nuk duhej takuar Vuqiqi pa kërkuar falje!

Besoja se duhet gjuajtur me vezë ata që takoheshin edhe pse nuk isha dakord me sulmin!

Besoja se privatizimi në formën e bërë duhej ndalur!

Besoja se të gjithë po vjedhnin se dhe duhet ndalur me çdo kusht!

Edhe pse shkoja në lojë të Kosovës besoja se edhe aktivistët kanë të drejtë të më kqyrin me dyshime sepse ata e donin vetëm një kombëtare – atë të vërtetën shqiptare. Shkoja me ndjenjë faji!

Edhe pse dëshiroja të gjithë të shkomim në paradë për barazi, pranoja të isha i vetëm i deleguar sepse besoja se duhet të fitojmë njëherë dhe pastaj nga qeveria do luftonim për barazi!

Besoja se duhej të ndërprenim mbledhjet e

Kuvendit me çdo kusht për të shpëtuar tokë!

Besoja se nuk do kishte xhipa e bodigarda më!

Besoja se në -15 duhet qëndruar në kufi dhe netë në burg vetëm për të ndaluar mallrat serbe!

Bëhesha edhe nacionalist duke besuar se ditë më të mira për Kosovën po vijnë!

Kam bërë kompromise me parimet e mia bazë sepse isha pjesë e një grupi të drejtë që e kishte përnime dhe kur shumica ishte për – mbase unë e kisha gabim për ca çështje!

Besoja se të gjithë jemi të barabartë!

Edhe pse isha dhe edhe sot jam i majtë dhe

doja dhe dua barazi,

barazi te grave me burrat,

barazi të grupeve të margjinalizuara me shumicën, barazi për LGBTQI

barazi për çdo njeri,

doja dhe dua mirëqenie për të gjithë,

që shteti ti mbron të varfërit,

që shteti të zhvillohet,

që fqinjët tanë të jenë mirë,

që korrupcioni të luftohet,

që hajnia të ndalet

prapë isha në dyshim mos kisha gabuar dikund.

Mbase edhe po!

Por tash jam në dilemë cili ka qenë gabimi!

Komento: