Ahmeti pret në takim Shefen e re të Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

16:33 | 20 Mars 2024
ahmeti-pret-ne-takim-shefen-e-re-te-zyres-se-keshillit-te-evropes-ne-prishtine,-diskutojne-per-anetaresimin-e-kosoves-ne-kie

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Kreshnik Ahmeti, priti në takim Shefen e re të Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Mary Ann Hennesy, e cila këto dite ka filluar detyrën në këtë pozitë.

Fillimisht Zëvendësministri Ahmeti e uroi znj. Hennesy për emërimin e saj duke ofruar gatishmërinë e plotë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin e mëtutjeshëm me Zyrën e Këshillit të Evropës në Kosovë.

Ahmeti më tej duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshill të Evropës, njoftoi në lidhje me hapat pozitive që ka ndërmarrë Republika e Kosovës në plotësimin e para kushteve të ngritura nga raportuesit.

Nga ana e saj Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë Hennesey, shprehu kënaqësinë për emërimin e saj në këtë pozitë dhe realizimin e takimit, veçanërisht në këtë kohë të dinamizmit të raporteve Kosovë – Këshill të Evropës, duke ofruar gatishmërinë e saj për bashkëpunim të plotë dhe shtyrjen përpara të projekteve konkrete e që janë në fushëveprim dhe mandat të kësaj zyre.

Në veçanti Hennesey, shprehu përgëzimin për institucionet e Republikës së Kosovës për implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pronat e Manastirit të Deçanit, duke shtuar se ky është sinjal dhe mesazh i fuqishëm që Kosova është e gatshme t’i bashkohet Këshillit të Evropës, si institucion i cili ndër të tjerash ka fushëveprim edhe sundimin e ligjit.

Sa i përket bashkëpunimit bilateral, znj. Hennesy njoftoi edhe në lidhje me prioritetet e punës së saj duke u fokusuar në temat që lidhen veçanërisht me Qeverisjen Lokale, çështjet sociale, të drejtat e njeriut me theks projektet e ndërlidhura me barazi gjinore, orientime seksuale si dhe mbështetjen për zbatimin në praktik të Konventës së Stambollit./Front Online

Komento: