
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka reaguar zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, të cilët janë përfshirë në mbështetje të protestës në Tiranë lidhur me projektin turistik në Zvërnec.
Rama ka thënë se edhe qeveria e ajatollahëve të Teheranit i bashkohet protestës tashmë edhe zyrtarisht.
Madje, zëdhënësi i ajatollahëve ka dalë hapur me parullat në shqip kundër Ramës, pra tashmë nuk kemi të bëjmë me protestë për mjedisin e kujdesin ndaj natyrës, por për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës, i cili ka marrëdhënie të shkëlqyera me ShBA-në dhe Izraelin.
“Qetësohuni, zoti kryeministër… Duhi të përballeni me pasojat”, “Rama ik”, janë disa nga parullat që ka shpërndarë në “X” zëdhënësi i ajatollahëve.
Rama, tutje, në replikën ndaj këtij zëdhënësi në rrjetin social “X”, ka thënë se do të flasë edhe në emër të atyre protestuesve që janë ende në shesh për ta mbrojtur natyrën dhe jo për ta kthyer Shqipërinë në shesh të lloj-lloj fuqive, siç ka thënë ai, nga mesjeta iraniane që duan ta djegin oazën shembullor të tolerancës ndërfetare.
“Bashkëngjitur replika ime edhe në emrin e atyre protestuesve që janë akoma aty për të mbrojtur natyrën, jo për ta bërë Shqipërinë shesh për përsheshet e fuqive lloj-lloj, nga mesjetarët iranianë, që e duan të djegur këtë oaz shembullor të tolerancës ndërfetare e të marrëdhënieve të shkëlqyera qoftë me Izraelin, qoftë me vendet arabe apo Turqinë, tek grupime lloj-lloj e media ndërkombëtare bashkë me lloj-lloj individësh nga lloj-lloj vendesh, që dufin me Trumpin po e nxjerrin këto ditë duke i përmbytur rrjetet sociale me lloj-lloj gjysmë të vërtetash, të cilat fryhen e fryhen duke u bërë gënjeshtrat më të mëdha!”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Ramës.
Reagimi i plotë i Ramës ndaj ajtollahëve të Iranit:
“Ja edhe qeveria e ajatollahëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë!
Bashkëngjitur replika ime edhe në emrin e atyre protestuesve që janë akoma aty për të mbrojtur natyrën, jo për ta bërë Shqipërinë shesh për përsheshet e fuqive lloj-lloj, nga mesjetarët iranianë, që e duan të djegur këtë oaz shembullor të tolerancës ndërfetare e të marrëdhënieve të shkëlqyera qoftë me Izraelin, qoftë me vendet arabe apo Turqinë, tek grupime lloj-lloj e media ndërkombëtare bashkë me lloj-lloj individësh nga lloj-lloj vendesh, që dufin me Trumpin po e nxjerrin këto ditë duke i përmbytur rrjetet sociale me lloj-lloj gjysmë të vërtetash, të cilat fryhen e fryhen duke u bërë gënjeshtrat më të mëdha!
Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurrentët tanë, duke na dënuar me qëndrimin në kategorinë e dytë për kushedi sa vjet të tjera”.