AKI-ja iu përgjigjet deputetëve: S’jemi përgjegjës se kë e emëron Thaçi këshilltar

16:46 | 26 Qershor 2019

AKI-ja thotë s’është përgjegjëse se kë e emëron presidenti Hashim Thaçi këshilltar.

Drejtori i Agjencisë për Inteligjencë, Shpend Maxhuni, ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Kjo mbledhje është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, sipas tyre për arsye të emërimit të agjentit serb Branislav Nikoliq (i shkarkuar) nga presidenti Hashim Thaçi si këshilltar i tij.

Pas mbledhjes së Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me një deklaratë për medie ka dalë deputeti nga radhët e PSD-së Faton Topalli.

Ky i fundit u shpreh se drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, është shprehur se nuk është përgjegjësi e AKI-së se kë emëron presidenti për këshilltar.

Ndryshe, Topalli shtoi se Maxhuni i ka siguruar deputetët që ky institucion është duke u marrë me akuzat për të cilat po dyshohet Nikoliqi.

“Në opinionin publik është shfaqë një problem që një serb dyshohet që të jetë pjesë e shërbimit serb, ne për këtë e kemi ftuar drejtorin e AKI-së që të na raportojë për këtë çështje nga ajo që na tha nga Maxhuni tha se AKI-ja nuk është përgjegjëse se kë e emëron për këshilltar dhe kë nuk e emëron. Shërbimi i AKI-së po merret me këtë çështje që akuzat që po i bëhen Branislav Nikoliqit janë të vërteta apo nuk janë të vërteta. Në AKI nuk është emëruar akoma inspektorati i përgjegjshëm për inspektimin dhe auditimin e financave të AKI-së. Ky vend është që nga marsi i lirë dhe përgjegjës për emërimin e këtij inspektori është presidenti dhe kryeministri”, tha Topalli.

Komento: