Autoriteti i Konkurrencës nis hetimet ndaj KEDS-it dhe KESCO-s.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka filluar procedurë hetimore ndaj ndërmarrjeve KEDS dhe KESCO, të cilat operojnë në tregun e energjisë elektrike. Hetimi ndaj këtyre ndërmarrjeve është autorizuar nga Komisioni i AKK-së dhe vjen si rezultat i një studimi të detajuar të tregut të energjisë në Kosovë.
“Gjatë shqyrtimit paraprak të situatës në tregun e energjisë elektrike, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka ngritur dyshime se ndërmarrjet KEDS dhe KESCO kanë bërë marrëveshje të ndaluar apo praktikë të bashkërenduar dhe kanë abuzuar me pozitën dominuese në treg, duke rënë ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, përkatësisht nenet 4 dhe 11”, thuhet në njoftim.
Më konkretisht, AKK, gjatë shqyrtimit paraprak të situatës në tregun e energjisë elektrike, ka vërejtur se pala në procedurë, KEDS, ka abuzuar me pozitën dominuese, duke:
a) Krijuar pengesa për hyrje në treg ndaj Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë (BRE)
b) Duke kërkuar nga BRE-të por edhe investitorët e tjerë, që në rastet kur ata bëjnë investime në trafo-stacione, ato investime dhe prona ku gjendet trafo-stacioni të barten në pronësi të ndërmarrjes KEDS
c) Duke vendosur kufizime në pajisje apo produkte që nevojiten për t’u kyçur në sistemin e shpërndarjes, duke kërkuar nga investitori që të gjitha pajisjet që nevojiten që instalohen të jenë të një marke të pranueshme për KEDS si dhe të kenë teste të tipit të duhur sipas procedurave të brendshme të KEDS.
Më tej në njoftim thuhet se ekzistojnë dyshimet se KEDS në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ka vendosur çmimin joreal të blerjes apo shitjes, ose kushte tjera të padrejta tregtare; kanë zbatuar kushte të ndryshme të transaksioneve për punët e njëjta me ndërmarrjet tjera duke i sjellë ato në një pozitë të pafavorshme në raport me konkurrencën, dhe kanë vendosur çmime ose kushte tjera, që kanë si objekt ose si pasojë pengimin e hyrjes ose nxjerrjes jashtë tregut relevant të konkurrentëve të veçantë ose të një produkti të tyre.
“Në anën tjetër, gjatë shqyrtimi paraprak të situatës në tregun e energjisë, AKK gjithashtu ka vërejtur se palët në procedurë, KEDS dhe KESCO, kanë arritur marrëveshje të ndaluar ose kanë bërë praktikë të bashkërenduar duke:
a) Shfrytëzuar objektin e njëjtë
b) Shfrytëzuar ekspertët e njëjtë
c) Mbajtur kontabilitet të përbashkët nga e njëjta zyre
d) dhe duke bërë shkëmbimin e informacioneve
Ndërmarrjet KEDS SH.A.dhe KESCO SH.A. dyshohet se kanë arritur marrëveshje të ndaluar apo praktikë të bashkërenduar në atë mënyrë që: kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; zbatojnë kushte të ndryshme për transanksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese; kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave”, thuhet në njoftim.
AKK ka kërkuar një mori dokumentesh nga palët e lartcekura, të cilat kanë një afat prej 30 ditësh që dokumentet e kërkuara t’ia dorëzojnë AKK-së. AKK do t’i njoftojë mediat dhe publikun e gjerë lidhur me çdo zhvillim të rëndësishëm rreth këtij rasti.