Një 22-vjeçare ka ndërruar jetë në spital pasi u aksidentua mbrëmjen e djeshme nga një automjet teksa ishte duke ecur në rrugë.
Policia bën me dije se Erisa Aliaj 22 vjeç ka humbur jetën ditën e sotme për shkak të dëmtimeve të marra. Ndërkohë policia ka vënë në pranga shoferin.
E reja, nga Tropoja ishte studente në Universitetin e Durrësit dhe ka qenë duke kaluar rrugën në momentin që është përplasur nga makina. Ndërkohë policia ka arrestuar 24 vjeçarin Indrit Ukra i cili drejtonte makinën që përplasi të renë.
“Mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:45, në lagjen nr.17/1, Durrës, shtetasi I. U., 24 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij ka aksidentuar shtetasen E. A., 22 vjeçe, (këmbësore) e cila është dërguar në spitalin rajonal Durrës dhe ndodhej nën kujdesin e mjekëve, shtetasja E. A, për shkak të dëmtimeve të marra, ka humbur jetën ditën e sotme, në spital.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës, menjëherë pas aksidentit bënë arrestimin e shtetasit I. U., 24 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.