
Të martën në Gjilan ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë një veturë e policisë dhe një e mitur me trotinet. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Në një përgjigje për Gazetën Express, IPK njofton se për zyrtarin policor, ngasës i automjetit, është rekomanduar suspendimi nga puna.
“Ju informojmë se Inspektorati Policor i Kosovës (tutje IPK), me datë 08.08.2023, ka pranuar njoftimin nga Policia e Kosovës-Trafiku Regjional, DRP – Gjilan, se një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës në kryerje të detyrës, ishte përfshirë në aksident trafiku me këmbësor. Hetuesit e IPK-së janë paraqitur në vendngjarje dhe kanë ndërmarr veprimet hetimore dhe kanë njoftuar Prokurorin e Shtetit të cilit i janë prezantuar të gjeturat e hetimit deri në atë faze”, tha IPK.
Gjithashtu me udhëzim të prokurorit të shtetit rasti është hapur si “Rrezikimi i trafikut publik”.