Një aksident trafiku që kishte ndodhur të enjten e 7 marsit në Gjilan kishte tronditur vendin.
Në pamundësi për të frenuar, shoferi i kamionit që ishte duke transportuar ujë, kishte shkaktuar aksident zingjiror ku përveç dëmeve të mëdha që kishte shkaktuar, nga ky aksident pati mbetur i vdekur një person e dhjetëra të tjerë të lënduar.
Prokuroria Themelore e Gjilanit sot ka ngritur aktakuzë ndaj shoferit të kamionit si dhe pronarit të kompanisë.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë:
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, sot, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve M.A., për shkak të veprës penale “Rrezikim i trafikut publik” dhe të pandehurit V.T., për veprën penale “Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 7 mars 2019, rreth orës 14:05 minuta, në rrugën ‘’Idriz Seferi” në Gjilan, i pandehuri M.A., ka shkaktuar aksident komunikacioni, në atë mënyrë që nga pakujdesia, duke drejtuar automjetin për transport – kamionin, e markës Scania, pronë e “VEV GROUP” Sh.p.k. – Prishtinë, ka humbë kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë e gjendjes paraprake jo të rregullt të sistemit të frenimit si tërësi, nuk ka arritur të frenojë, ku edhe iu është pamundësuar ndërrimi i shpejtësive për shkak të mos funksionimit të friksionit.
Me këtë rast, i njëjti për të shmangur përplasjen me automjetet që lëviznin para tij, kalon dhe shfrytëzon shiritin e kahjes së kundërt, mirëpo pasi rruga ishte teposhtëze, fillon t’i rritet shpejtësia e lëvizjes dhe me të arritur afër hyrjes së Stacionit të Autobusëve, fillimisht e godet një automjet, i cili ishte duke lëvizur në të njejtin drejtim, ndërsa afër daljes së Stacionit të Autobusëve, e godet mbrapa një automjet tjetër, që lëvizte para tij, të cilin e shtyen deri te vendkalimi për këmbësorë në trotuar, afër furrës “Çoçaj” dhe me këtë rast i godet 3 (tre) këmbësorë, të cilët ishin duke ecur nëpër trotuar, në mesin e tyre edhe i ndjeri Q.Ç.
Pastaj ka vazhduar në të njëjtin drejtim duke goditur edhe automjete tjera, me ç’rast në fund godet një traktor, i cili ishte kyçur në rreth-rrotullim, duke përfunduar në trotuar, përballë hotelit ‘’Kristal’’.
Si pasojë e këtij aksidenti, përveç dëmeve të mëdha materiale, lëndime të lehta trupore kanë pësuar 17 (shtatëmbëdhjetë) persona, lëndime të rënda trupore 4 (katër) persona, ndërsa lëndime të natyrës vdekjeprurëse u shkaktohen të ndjerëve Q.Ç. dhe F.I.
Në këtë mënyrë, i pandehuri M.A., ka kryer veprën penale, ‘’Rrezikim i trafikut publik’’ nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe 1 të KPRK-së.
Ndërsa, i pandehuri V.T., si person përgjegjës i kompanisë “VEV GROUP” Sh.p.k. – Prishtinë, ka qenë i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit apo mosveprimit të tij, mirëpo nga neglizhenca për mbikëqyrje të detyruar, ka lejuar vozitësin e tij, tani të pandehurin M.A., që të dalë në qarkullim – rrugë publike regjionale, për të kryer punë për kompaninë, me automjet transportues, i cili ka qenë i paregjistruar dhe teknikisht i parregulluar, me ç’rast si pasojë e këtyre lëshimeve, është shkaktuar aksident trafiku.
Me këto veprime, i pandehuri V.T., ka kryer veprën penale, ‘’Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik’’ nga neni 373 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 3, 2 dhe 1 të KPRK-së.