Aksidenti tragjik – Rama “godet” Kurtin: Qeveri e propagandës dhe kontratave njëburimore

17:20 | 15 Qershor 2026
aksidenti-tragjik-–-rama-“godet”-kurtin:-qeveri-e-propagandes-dhe-kontratave-njeburimore

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka quajtur qeverinë Kurti “Qeveri e propagandës, e kontratave njëburimore dhe e tragjedive që mund të parandaloheshin”.

Rama në Facebook ka thënë se Kosova dje u zgjua me lajmin tragjik të humbjes së jetëve në autostradë.

Një tjetër ditë, ku qytetarët, sipas tij, paguajnë çmimin, ndërsa pushteti siç shkruan ai, vazhdon të jetojë në realitetin e propagandës së vet.

“Për vite me radhë nuk u largua dheu nga autostrada, por sot gjenden miliona euro për kontrata. Plot 4.67 milionë euro për heqjen e dheut, pasi problemi është zvarritur pafund. Kjo është fotografia më e qartë e një qeverisjeje që reagon vetëm kur është tepër vonë”, ka shkruar ndër të tjera Rama.

Postimi i plotë:

QEVERIA E PROPAGANDËS, E KONTRATAVE NJËBURIMORE DHE E TRAGJEDIVE QË MUND TË PARANDALOHESHIN!

Dje Kosova u zgjua me lajmin tragjik të humbjes së jetëve në autostradë. Sot u zgjua me lajmin se heqja e atij dheu, që për vite u la aty pa u trajtuar, do t’u kushtojë qytetarëve 4.67 milionë euro.

Një tjetër ditë ku qytetarët paguajnë çmimin me jetë dhe me taksa, ndërsa pushteti vazhdon të jetojë në realitetin e propagandës së vet.

Për vite me radhë nuk u largua dheu nga autostrada, por sot gjenden miliona euro për kontrata. Plot 4.67 milionë euro për heqjen e dheut, pasi problemi është zvarritur pafund. Kjo është fotografia më e qartë e një qeverisjeje që reagon vetëm kur është tepër vonë.

Albin Kurti vazhdon të flasë për shtetin që e ka gjetur “në bodrum me gjysmë metri ujë”. Shtetin e gjete me autostrada të ndërtuara, ndërsa sot nuk arrin as t’i mirëmbash. Për çdo dështim fajin e ka e kaluara, ndërsa për çdo propagandë meritat i merr vetë.

Kjo qeveri është kampione e fjalëve, e videove promocionale dhe e konferencave për media, por kur vjen puna te përgjegjësia, heshtja bëhet politika e saj zyrtare.

Një pushtet që investon më shumë në propagandë sesa në zgjidhjen e problemeve reale nuk përfaqëson ndryshimin që premtoi. Ai përfaqëson arrogancën, paaftësinë dhe kulturën e justifikimeve të pafundme, ndërsa pasojat i paguajnë qytetarët me jetën e tyre dhe me taksat e tyre.

Komento: