Aksion në 26 auto-parkingje në Prizren e Suharekë, konstatohen shkelje të ndryshme

15:15 | 22 Korrik 2026
aksion-ne-26-auto-parkingje-ne-prizren-e-suhareke,-konstatohen-shkelje-te-ndryshme

Inspektorati Qendror i Punës realizon aksion të përbashkët inspektues në Prizren dhe Suharekë

Një aksion i përbashkët inspektues në komunën e Prizrenit dhe atë të Suharekës ka gjetur shkelje të ndryshme në gjithsej 26 auto-parkingje të inspektuara.

Aksioni u zhvillua nga Inspektorati Qendror i Punës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Inspektoratin Qendror të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (IQMINT), si dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

“Gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të ndryshme, për të cilat institucionet pjesëmarrëse kanë ndërmarrë veprimet përkatëse, secila në përputhje me kompetencat, mandatin dhe përgjegjësitë e saj ligjore”, tha Inspektorati në një njoftim.

Inspektorati tha se aksioni u zhvillua me qëllim të verifikimit të respektimit të legjislacionit në fuqi dhe evidentimit të parregullsive që lidhen me ushtrimin e veprimtarisë së këtyre subjekteve.

Inspektorati Qendror i Punës u zotua se mbetet i përkushtuar në bashkëpunimin ndërinstitucional “për forcimin e zbatimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të ligjshëm të punës”.

Komento: