
Rinia Demokratike e Kosovës sot ka realizuar një aksion simbolik para Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes së cilit ka shprehur shqetësimin e thellë për vendimin e fundit të kësaj qeverie për legalizimin e përdorimit të dokumenteve të Serbisë nga personat që nuk i posedojnë ato të Kosovës.
Ata kanë zbrazur një thes me lajme të deklaratave të kryeministrit Albin Kurti ndër vite duke u mburrur se në Kosovë nuk ka më struktura paralele të Serbisë.
Kryetarja e RDK-së, njëherit deputete e PDK-së, Arbnora Salihu tha se ky aksion është një mesazh i qartë se e vërteta nuk mund të mbulohet me propaganda dhe se dështimi nuk mund të fshihet pas fjalëve boshe, të pakuptimta.
“E kemi mbushur këtë thes me gënjeshtrat e Albin Kurtit, i cili deklaronte që i ka çrrënjosur strukturat paralele në pjesën veriore të vendit. Ky thes e shpërfaqë qasjen e tij manipulative, me fjalë të mëdha në emër të patriotizmit dhe me vepra në dëm të interesit shtetëror”, shtoi ajo.
Salihu rikujtoi disa nga deklarata e Kurtit, me të cilat ka ndërtuar narrativë të rreme dhe i ka mashtruar qytetarët.
“Në prill të vitit 2022, Kurti premtonte se nuk do të kishte “asnjë gram tolerancë” ndaj strukturave ilegale. Në qershor 2023, ai deklaronte se “Kosova nuk do të lejojë struktura paralele në veri” dhe madje kërcënonte se ata do të shkonin “ose në Serbi, ose në burg”. Në janar 2025, ministrat e tij mburreshin se “epoka e komunave paralele ka përfunduar”. Ndërsa, në janar të këtij viti, në Davos, Albin Kurti thoshte se “Në Kosovë nuk ka më struktura paralele të Serbisë”. Por, para dy ditësh, më 14 mars 2026, ai bëri të kundërtën, lejoi përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia, duke i bërë ato pjesë të sistemit ligjor të Kosovës”, vuri re ajo.
RDK e cilëson këtë vendim si dorëzim përballë bandave kriminale që krijon një momentum të rrezikshëm për të ardhmen e vendit.
“Për më tepër, ky kompromis i dhimbshëm u përshëndet nga Serbia, e cila e konsideron si shmangie katastrofe. Përderisa Albin Kurti flet për mbyllje të strukturave ilegale, Aleksandër Vuçiq po feston për fitore”, theksoi Salihu.
Ajo tha se Kosova meriton stabilitet, zhvillim dhe seriozitet, jo populizëm dhe hipokrizi politike.
“Kur një kryeministër që ka ndërtuar karrierën mbi retorikë të ashpër ndaj Serbisë, përfundon duke i dhënë legjitimitet dokumenteve të saj, atëherë kemi të bëjmë me mashtrim. Ky vendim i Albin Kurtit është tradhti ndaj shtetit dhe qytetarëve. Është paradoksale dhe shqetësuese që një kryeministër, i cili nuk arriti të gjejë konsensus politik për zgjedhjen e Presidentit, sot gjen gjuhë të përbashkët me strukturat paralele dhe me Serbinë. Prandaj, nga këtu i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndalë politikat e dyfishta dhe të mos i mashtrojë më qytetarët tanë”, përfundoi deputetja Salihu./Telegrafi/
