Aksionet e fundit të Policisë, Sveçla lavdëron punën e zyrtarëve policorë

15:38 | 01 November 2024
aksionet-e-fundit-te-policise,-svecla-lavderon-punen-e-zyrtareve-policore

6 të arrestuar për fajde në Prizren e Suharekë, 3 të arrestuar për narkotikë, 1 për arsenal armësh, municion e uniforma në Leposaviq e disa arrestime të personave që ishin në kërkim.

Ky është bilanci i një pune të mirë e të jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës vetëm në dy ditët e fundit.

E lidhur më këtë ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai ka thënë se është mirënjohës secilit pjesëtar policor që me përkushtim e profesionalizëm angazhohet kudo në Kosovë.

‘’I jam mirënjohës secilit pjesëtar policor që me përkushtim e profesionalizëm angazhohet kudo në Republikën tonë për sundim të rendit e ligjit duke bërë të mundur që qytetarët tanë të jetojnë, punojnë e zhvillohen të lirë e të sigurtë dhe larg fenomeneve kriminale që rrezikojnë jetën e tyre. Aksionet e fundit kanë dëshmuar sukses edhe falë bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Kosovës dhe inkurajoj në vazhdimësi një aktivizëm të tillë shoqëror’’, ka thënë Sveçla.

Më tutje Ministri i Brendshëm ka thënë se profesionalizmi i zyrtarëve policor mbetet kyç andaj çdo veprim i tejkaluar që dëmton imazhin dhe vlerat e Policisë së Kosovës nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar.

‘’Në dy raste të ndara, si shkak i dyshimit të keqtrajtimit të qytetarëve, janë suspenduar 5 zyrtarë policor.Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve dhe është garanca e sundimit të rendit e ligjit për të gjithë e pa dallim. Ajo është e ngritur mbi vlera demokratike që para se gjithash respekton të drejtat e liritë e njeriut’’, ka thënë Sveçla.

Do të vazhdojmë mbështetjen tonë pakursim për Policinë e Kosovës, sukseset e së cilës jo vetëm që garantojnë siguri për vendin dhe qytetarët tanë por edhe ngrisin lart Republikën tone, ka shtuar më tutje ai.

Komento: