Aksioni antidrogë, arrestohen katër persona – sekuestrohen 35 kilogramë marihuanë dhe mbi një kilogram kokainë

22:07 | 08 October 2024

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona gjatë operacionit të koduar “Pritja”, i cili u zhvillua në Prishtinë, Mitrovicë të Jugut dhe Pejë.

Gjatë këtij aksioni, autoritetet kapën një sasi të konsiderueshme droge, duke përfshirë 25 kilogramë marihuanë me një vlerë të tregut prej 45 mijë eurosh.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, “Njësitet policore në cilësi të provave materiale kanë sekuestruar edhe dy vetura dhe tre telefona celular.”

Ndërkohë, në një aksion tjetër të koduar “Kristali”, është arrestuar një person dhe është kapur një kilogram kokainë, e cila vlerësohet të ketë një vlerë mbi 50 mijë euro.

Në këtë rast, policia sekuestroi edhe mbi 6,800 euro para të gatshme, 1 mijë dollarë amerikanë dhe 3,400 funta angleze.

“Veprimet policore në të dyja rastet janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore për Krime të Rënda në Prishtinë,” thuhet në komunikatën e policisë.

Komento: