
Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje rreth aksionit antidrogë në Suharekë, duke thënë se në kuadër të veprimeve hetimore dhe në bashkëpunim me organet e rendit, janë ndërmarrë masa operative ndaj disa personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me narkotikë dhe armë pa leje.
Bazuar në dyshimin e bazuar, Prokuroria thotë se të pandehurit kanë vepruar në bashkëkryerje dhe në kuadër të një grupi, duke u marrë me shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të substancave narkotike të llojit heroinë.
Prokuroria ka iniciuar procedurë penale ndaj tre personave me inicialet R.B., A.R., dhe B.B., për veprat penale që ndërlidhen me narkotikë si dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Prokuroria ka njoftuar se të tre gjenden në ndalim 48 orësh dhe për të njëjtit ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Në njoftim thuhet se gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 2 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit “heroinë”, e cila dyshohet të ketë qenë e destinuar për treg ilegal.
Po ashtu, gjatë zbatimit të urdhërkontrolleve në lokacione të ndryshme, janë gjetur dhe sekuestruar një numër i konsiderueshëm armësh dhe municioni, përfshirë katër pistoleta, një pushkë gjuetie, dy karikator të pistoletave dhe rreth 544 fishekë të kalibrave të ndryshëm, të cilat mbaheshin në kundërshtim me ligjin përkatës për armët.
“Po ashtu janë sekuestruar para të gatshme, telefona, dy (2) vetura të markave “Mercedes GLE” dhe “Land Rover”, të cilat janë përdorur për takime dhe shkëmbim të substancave narkotike, si dhe prova të tjera materiale që lidhen me veprat penale të lartcekura”, thuhet në njoftim