Aksioni i policisë në veri ku u konfiskua drogë e armë, Elshani jep detaje

18:00 | 07 Gusht 2023
aksioni-i-policise-ne-veri-ku-u-konfiskua-droge-e-arme,-elshani-jep-detaje

Zëvendësdrejtori rajonal për veriun, Veton Elshani ka dhënë detaje për aksionin e sotëm të policisë në Mitrovicën e Veriut në një banesë te Tre Rrokaqiejt.

Në emisionin “Five”, Elshani ka treguar se gjatë këtij aksioni janë konfiskuar 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilatorë, poça elektrikë që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llampë elektrike për laborator, municion 51 fishekë dhe 8 mjete shpërthyese të improvizuara.

“Kemi gjetë 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilatorë, poça elektrikë që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llampë elektrike për laborator, municion 51 fishekë dhe 8 mjete shpërthyese të improvizuara”, ka thënë Elshani.

Sipas tij, ky rast do të mbetet në hetim nëse shok-bombat e modifikuara me gozhda janë përdorur më herët apo janë planifikuar të përdoren në të ardhmen.

“A mund të jenë përdorur apo janë planifikuar mbetet në hetim, ne do të shohim se si prokurori do ta cilësojë këtë vepër, a janë përdorur shok-bombat në Zveçan për sulme ndaj KFOR-it, gazetarëve apo qytetarëve”, ka vijuar ai.

“Ka qenë mjaft interesant kjo bastisje sot”, ka theksuar ai.

Ndërsa në lidhje me gjendjen e situatës në veri, Elshani ka thënë se situata është stabile për momentin, por është delikate.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi me EULEX-in dhe KFOR-in është i mirë dhe i koordinuar.

“Jemi të përgatitur për çfarëdo situate, jemi duke ofruar shërbime me të madhe për qytetarët, kemi numër të policëve të mjaftueshëm, nuk ka rëndësi që ti lëvizim nëpër komuna, kemi mjaftueshëm në territorin e vendit. Kemi bashkëpunim të mirë me KFOR-in e EULEX-in, kishim një takim të fundit javën e kaluar, ku e kemi zvogëluar 50% praninë e pjesëtarëve të policisë”, ka përfunduar ai.

Pas këtij aksioni, Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se veriu i Kosovës “po ecën drejt normalitetit”.

Ai ka thënë se luftimi i krimit të organizuar në çdo cep të vendit është prioritet teksa ka theksuar se për më shumë se 20 vjet, veriu i vendit kryesisht ka jetuar në ilegalitet.

Komento: