Aktakuza e PSRK: Ministria e Arsimit pagoi 220 euro për një shportë bërlloku, ndërsa çmimi real ishte 12 euro

22:00 | 31 Dhjetor 2025
Ministria e Arsimit: Emërimi i drejtorit në Institutin Albanologjik është i paligjshëm

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar sot, më 31.12.2025, se ka ngritur aktakuzë ndaj 15 personave për dallavere me tenderë të Ministrisë së Arsimit (MASHTI).

Sipas aktakuzës, Ministria kishte paguar 208 euro më shtrenjtë një shportë të vogël të bërllokut për klasa.

PSRK ka treguar skemën se si kompania “A&F Projekt” Sh.P.K. kishte marrë nga MASHTI për një shportë bërlloku që vendoset në klasë 220 euro, ndërsa çmimi real në treg për një shportë të tillë ishte vetëm 12 euro.

Në aktakuzën që e ka ngritur prokurori Dren Paca akuzohen tre persona juridikë dhe 12 persona fizikë. Ata akuzohen për dallavere me tenderë, me ç’rast pretendohet se buxheti i shtetit është dëmtuar në vlera milionëshe.

Tre personat juridikë të akuzuar janë “A&F Projekti” Sh.P.K., Fabrika e Mobileve “Standard” Sh.P.K dhe “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K.

Kurse personat fizikë të akuzuar janë: Ardian Berisha – pronar i kompanisë “Shkëmbi Gllareva” Sh.P.K, Dashmir Limaj, Mërgim Limaj – drejtor në kompaninë Fabrika e Mobileve “Standard”, Agron Shemsi Shala – pronar i biznesit “A&F Projekti” Sh.P.K., Fehmi Zylfiu, i punësuar në MASHTI, Fadile Kokaj – Dyla, Murtez Hasan Zekolli, Xhemajl Buzuku, Agim Berdynaj, Arberita Mehmetaj – e punësuar në MASHTI dhe Naim Demiri – i punësuar në MASHTI.

Prokuroria Speciale ka treguar se çmimet që ishin ofruar nga kompania “A&F Projekt” për kontratën “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” ishin paguar shumë më shtrenjtë sesa çmimi i tregut.

Prokurori special Dren Paca ka zbërthyer skemën se si kjo kompani kishte dorëzuar në Ministri të Arsimit 1,159 shporta të vogla, për të cilat, për copë ishte paguar shuma 220 euro.

Në total Ministrisë së Arsimit ky pozicion i kontratës i ka kushtuar 254,980.00 euro, kurse nëse do paguheshin sipas çmimit real të tregut Ministrisë do t’i kushtonin vetëm 13,908.00 euro.

Prokuroria Speciale ka konstatuar se 241,072.00 euro është dallimi i shitjes së produktit dhe çmimit të tregut.

“Diferenca më e madhe e çmimeve të tregut dhe çmimeve furnizues është vërejtur te disa artikuj të cilët kanë qenë të kërkuar në sasi më të madhe si për shembull: Çmimi i blerjes për një artikull te pozicioni 19, shporta të vogla për klasë, ka qenë në vlerë prej 12 euro, ndërsa çmimi i shitjes në MASHT është në vlerë 220 euro, që i bie se ky artikull është për 208 euro apo 1,730.00% më i shtrenjtë se çmimi i blerjes. Në kontratën e vitit 2019 që përfshin periudhën nga nëntori i vitit 2019 deri në muajin prill 2021 kompania “A&F Projekt” i ka dorëzuar 1159 shporta të vogla. Sipas llogarive dhe krahasimit të çmimit të blerjes shuma totale e blerjes për 1159 shporta ka qenë në shumën prej 13,908.00 euro ndërsa shuma totale e shitjes për 1159 shporta për të cilat i ka paguar MASHT-i është 254,980.00 euro. Sipas kësaj i bie që dallimi në mes blerjeve sipas çmimeve të tregut dhe shitjes ka qenë në shumën prej 241,072.00 euro më shumë se sa çmimi i blerjes”- thuhet në aktakuzën e PSRK-së./Telegrafi.com

Komento: