Grupi Dukagjini ka reaguar pas aktakuzës ndaj Korab e Ekrem Llukajt, të cilët akuzohen se kanë shpëlarë para përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të dokumenteve false në Administratën Tatimore të Kosovës.
Në reagimin e Grupit Dukagjini kanë thënë se aktakuzën nuk e kanë pranuar ende. Andaj, ata thonë se do të deklarohen në Gjykatë dhe aty siç potencojnë aty “do të dëshmojnë pafajësinë”.
“Në lidhje me të do të deklarohemi në gjykatë. Aty do të dëshmojmë jo vetëm pafajësinë e kompanisë tonë bijë dhe drejtuesve të vet, por edhe persekutimin personal dhe të kundërligjshëm të cilit i janë nënshtruar gjatë tre viteve të hetimit të kësaj çështje. Duke marrë parasysh se aktakuza dhe fushata mediale e orkestruar nga kundërshtarët tonë po synon të na dënoj pa gjyq, kërkojmë nga gjykata që procedura gjyqësore të filloj sa më parë. Me besim të plotë në drejtësi dhe pafajësinë e kompanisë tonë bijë dhe drejtuesve të vet, i ftojmë të gjitha mediet dhe organizatat e shoqërisë civile që aktivisht dhe sistematikisht ta monitorojnë këtë procedurë gjyqësore”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Reagimi i plotë:
Grupi Dukagjini ka qenë dhe do të mbetet një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit, duke kontribuar fuqishëm në buxhetin e Republikës së Kosovës. Gjatë periudhës kohore 1999 – 2024, Grupi Dukagjini dhe kompanitë e veta bija, i kanë kontribuar arkës së shtetit me mbi 250 mil EURO, të paguara në emër të tatimeve direkte dhe indirekte.
Ky kontribut i Grupit Dukagjini për buxhetin e Republikës së Kosovës është tregues jo vetëm i suksesit tonë afarist, por edhe i përkushtimit tonë për zbatim të ligjit.
Për fat të keq, një sukses i tillë nuk është i mirëseardhur për të gjithë. Në pamundësi për të konkurruar me ne në tregun e hapur, dashakëqinjët përpiqen të na dëmtojnë me akuza të fabrikuara. Po sipas të njëjtës metodë, në mungesë të provave për këto akuza, veglat e këtyre dashakëqinjëve, përipiqen të krijojnë epërsi të padrejtë në opinionin publik me komunikata senazionaliste të pavërteta dhe me rrjedhje të informatave të gjymtuara.
Asnjë nga këto përpjekje të kundërligjshme nuk do të na zbrapsim nga përkushtimi ynë për të vazhduar punën tonë, për t’iu shërbyer konsumatorëve, bashkëpunëtorëve dhe partnerëve tonë, që na besojnë për rreth 40 vite. Aktakuzën që është raportuar se është ngritur kundër njërës nga 11 kompanive tona, dhe drejtuesve të saj, nuk e kemi pranuar.
Në lidhje me të do të deklarohemi në gjykatë. Aty do të dëshmojmë jo vetëm pafajësinë e kompanisë tonë bijë dhe drejtuesve të vet, por edhe persekutimin personal dhe të kundërligjshëm të cilit i janë nënshtruar gjatë tre viteve të hetimit të kësaj çështje. Duke marrë parasysh se aktakuza dhe fushata mediale e orkestruar nga kundërshtarët tonë po synon të na dënoj pa gjyq, kërkojmë nga gjykata që procedura gjyqësore të filloj sa më parë. Me besim të plotë në drejtësi dhe pafajësinë e kompanisë tonë bijë dhe drejtuesve të vet, i ftojmë të gjitha mediet dhe organizatat e shoqërisë civile që aktivisht dhe sistematikisht ta monitorojnë këtë procedurë gjyqësore.